INTERVISTA/ “Ky është vetëm fillimi, një luftë e madhe do të nisë”

Nga Elizaveta Antonova “Meduza

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë javës që shkoi, kullat e zyrave të qytetit të Moskës, zemra e botës së financave në kryeqytetin rus, u sulmuan dy herë nga dronë. Gadishulli i Krimesë i aneksuar nga Rusia ka përjetuar 16 sulme me dronë vetëm muajin e fundit.

Ndërsa Kievi po përpiqet të distancohet nga incidente, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar se “lufta po zhvendoset gradualisht në territorin rus dhe qendrat e tij simbolike dhe bazat ushtarake”. Korrespondentja e Meduza, Elizaveta Antonova bisedoi me këshilltarin e Zelensky, Mykhailo Podolyak mbi planet e Kievit në lidhje me sulmet mbi objektet brenda Rusisë, dhe çfarë zhvillimesh mund të ketë në të ardhmen.

Në një koment që ju bëtë mbi sulmin më të fundit me dron ndaj Moskës më datë 1 gusht, ju shkruat ndër të tjera se lufta në shkallë të gjerë do të zhvendosej së shpejti në territorin e nxitësve të saj, dhe se çdo gjë që do të ndodhte më pas në Rusi do të ishte një çështje e “procesit historik objektiv”. A po hyn ky proces në një fazë të re?

Faza e re do të jetë në përshkallëzimi. Faza e mëparshme, testimi i sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore, ka përfunduar. Fatkeqësisht Ukraina nuk ka mjetet e duhura për ta mbrojtur veten nga raketat që përdor Rusia për ta sulmuar atë, dhe ne po përpiqemi që ta zgjidhim këtë problem.

Por është po aq e qartë se vetë Rusia nuk ka sisteme mbrojtëse mjaftueshëm të lëvizshme për të shmangur sulme të tilla. Kjo do të thotë se hapi tjetër është përshkallëzimi i tyre. Shumica e dronëve të përdorur deri tani janë thjesht pajisje DIY të krijuar nga njerëz të zakonshëm, me një rreze dhe kohë fluturimi shumë të kufizuar.

Dronë të tillë mund të lëshohen nga rajoni i Moskës dhe zonat përreth. Më duket se disa njerëz në Rusi kanë filluar ta kuptojnë se vertikaliteti i pushtetit në vendin e tyre është dobësuar. Se tashmë nuk ekzistosh askush që të marrë vendime kritike; dhe se vetë Putini është i dobët. Kjo krijon më shumë hapësirë ​​për presion ndaj regjimit.

Rezultatet e kësaj qasjeje të re po i shohim në sabotazhet në objekte të ndryshme (si për shembull në zyrat e projektimit), si dhe tek shtimi i sulmeve me dron. Çdo dobësi e shtetit rus provokon këto rebelime të brendshme.

A nuk mendoni se sulmet me dronë mund t’i bashkojnë rusët për të mbështetur luftën dhe për të shkuar në front në numër më të madh?

Jo, sepse kjo luftë nuk bazohet tek asnjë ide e qartë. Është një luftë pushtuese e pakuptimtë. Arsyeja e vetme e tij është të plaçkitësh pa u përballur me pasojat. Kjo lloj lufte mund të pranohet mirë në shtëpi, nëse nuk ka represion, nëse njerëzit nuk mendojnë se po përdoren si mish për top apo se po kufizohen liritë e tyre.

Rusia ka nxitur një proces që po e zhbën plotësisht besnikërinë e popullit ndaj kësaj lufte. Ata erdhën në Ukrainë për të plaçkitur, por tani po vriten në front dhe po persekutohen në shtëpi, ku janë tërësisht të pambrojtur. Ata e pëlqejnë këtë luftë kur e hedhin nga rehatia e shtëpive të tyre në Rusi. Por atyre nuk u pëlqen të humbasin para apo lirinë e lëvizjes, apo të çohen vetë në front. Nuk ka asnjë bazë ideologjike për bashkimin e njerëzve rreth kësaj lufte.

Ju keni thënë se Ukraina nuk synon të godasë brenda Rusisë me raketat e saj, sepse i përmbahet ligjit ndërkombëtar dhe angazhohet vetëm në mbrojtjen e territorit të saj. Ju shkruani gjithashtu se Rusia do të shohë: “më shumë dronë, shkatërrim, trazira civile dhe luftë”. A ka ndonjë skenar sipas të cilit Kievi do të rishqyrtonte qëndrimin e tij të deritanishëm?

Jo, ne nuk planifikojmë të përfshihemi në një luftë agresive apo të sulmojmë objekte brenda Rusisë. Nuk do të kishte kuptim për ne. Për ne është i rëndësishëm shtimi i goditjeve ndaj infrastrukturës ruse në territoret e pushtuara. Kjo nga ana tjetër do të provokonte sulme të brendshme brenda Rusisë, jo nga ukrainasit, por nga grupet kundërshtare të regjimit që tashmë kanë filluar të shfaqin modele më agresive të sjelljes së tyre. Ajo që na duhet është të rrisim shkallën e shkatërrimit në territoret e pushtuara, përgjatë vijës së mbrojtjes. Sapo të ndodhë kjo, trazirat e brendshme brenda Rusisë do të marrin vrull.

Pra, ju nuk shihni një skenar sipas të cilit Ukraina do të sulmonte Moskën me raketa?

E çfarë mund të përfitojmë nga kjo, në kushtet kur kemi mungesë raketash? Rusia ka shumë raketa, ose të paktën kishte, në kohën kur filloi ta sulmonte infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Ne kemi një farë mungese në raketa por edhe disa kufizime sa i përket rrezes së goditjes.

Për shembull, ka raketa me rreze 1500-3000 kilometra. Në rastin më të mirë, raketat tona fluturojnë 250-300 kilometra. Pra nuk ka të krahasuar. Rusia i ka përqendruar të gjitha burimet e saj të mbetura luftarake në territoret e pushtuara të Ukrainës.

Duke i shkatërruar këto burime, ne po e lëmë Rusinë të pambrojtur nga brenda, dhe kjo të thotë se cilido brenda Rusisë mund të godasë pushtetin shtetëror, gjë që një ditë do të ndodhë në fund të fundit. Ju e shihni reagimin e liberalëve por edhe të ultra-patriotëve:që të dyja palët janë shumë kritike ndaj Putinit. Prigozhin bëri një shfaqje befasuese, duke nxjerrë në pah pikat e dobëta të sistemit.

Ai ka treguar se nuk ka asnjë organ ligj-zbatues që mund t’i rezistojë 5000-8000 njerëzve të armatosur. Askush nuk nxitoi në mbrojtje të Putinit. Më vonë, kur u bë e qartë se Prigozhin kafshoi më shumë se sa mund të përtypte, të gjithë filluan të flasin në mbështetje të presidentit.

Ç’mund të na thoni mbi raketat që godasin rajonet kufitare të Rusisë?

Rajonet kufitare të Rusisë shpesh goditen nga raketat e vetë Rusisë. A e dini pse forcat e tyre lëshojnë raketa nga Deti Kaspik? Sepse 25-30 për qind e tyre janë difektoze dhe bien në det. E njëjta gjë ndodh shpesh me S-300 dhe S-400 e tyre, të cilët bien në rajonet Belgorod, Kursk dhe Rostov. Forcat pushtuese janë kudo dhe ne i shkatërrojmë kudo, përfshirë zonat kufitare.

Mendoni se banorët e qyteteve të vogla që nuk kanë objekte ushtarake duhet të ndihen ende të shqetësuar për sulmet me dronë apo raketa?

Unë nuk mendoj se ka ndonjë rrezik kur bëhet fjalë për infrastrukturën urbane apo rurale në vende pa objekte ushtarake. Rreziku është më real në rajonet e Ukrainës të pushtuara nga Rusia. Duke marrë parasysh që Rusia nuk ka kontroll mbi proceset e saj të brendshme, ekziston gjithashtu një rrezik i konsiderueshëm për vendet që kanë objekte ushtarake.

Rreziqet janë më të mëdha në Gadishullin e Krimesë. Habitem sesi ka ende nga ata që përpiqen të kalojë pushimet atje. Ura e Krimesë përdoret për të transportuar ngarkesa ushtarake, municione, armë, raketa. Ajo është një urë kyçe për furnizimin e grupimit jugor të ushtrisë ruse. Nuk e kuptoj se pse dikush do të donte të kalonte me makinë mbi një objekt ushtarak. Ka ardhur koha që rusët të kuptojnë se do të fitojnë vetëm kur ta kthejnë Ukrainën në kufijtë e saj të vitit 1991.

Marrë me shkurtime

 


Shtuar 4.08.2023 10:38