Partia Demokratike në Gjirokastër ka nisur punën për riorganizimin e forcimin e saj. Kreu i kësaj force politike, Lulzim Basha bën thirrje që të gjitha strukturat të jenë gati për përballjen me një pushtet që punon kundër interesave të qytetarëve.
“Dosja e Inceneratorëve, si dhe rastet e mëparshme ku ministra, kryetarë bashkish e deputetë u arrestuan për korrupsion, apo u larguan nga politika për lidhjet me krimin – janë dëshmi se Edi Rama ka ndërtuar një shtet të të korruptuarve”, shkruan Basha në Facebook.
Ai thekson se përballja pa kompromis me korrupsionin dhe pastrimi i politikës do të jenë jetike në rrugën që ka nisur PD për çlirimin e politikës dhe ekonomisë.
Mesazhi i plotë:
Me strukturat drejtuese të Qarkut Gjirokastër nisëm punën për riorganizimin e forcimin e Partisë Demokratike. Pa humbur kohë duhet të jemi gati për përballjen me një pushtet që punon kundër interesave të qytetarëve.
Dosja e Inceneratorëve, si dhe rastet e mëparshme ku ministra, kryetarë bashkish e deputetë u arrestuan për korrupsion, apo u larguan nga politika për lidhjet me krimin – janë dëshmi se Edi Rama ka ndërtuar një shtet të të korruptuarve.
Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive e klienteliste dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve dhe llogaritë e oligarkëve do t’i mundësonin çdo qeverie t’u krijojë kushte studentëve të mos largohen e fermerëve subvencione për bujqësinë.
Përballja pa kompromis me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e diasporës janë jetike në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë./Albeu.com