” I rrezikshëm dhe me kosto të larta”. Dështon Aeroporti i Kukësit, Wizz Air e braktis pas 1 viti operim

Kompania Wizz Air pezulloi operimin nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, një vit pasi zbriti avionin e parë në pistën  “ZAYED- Flatrat e Veriut”. Wizz Air konfirmoi për Faktoje si shkak për tërheqjen e fluturimeve nga ky aeroport, terrenin e vështirë dhe kushtet e motit. Këtë ‘përfundim’ e kishin paralajmëruar më herët ekspertë të fushës, por qeveria pretendonte se aeroporti kishte pozicion të mirë gjeografik.

Esmeralda Topi-Faktoje.al

‘Pozita e mirë gjeografike dhe rëndësia e zhvillimit të këtij Aeroporti ka tërhequr vëmendjen e linjave të mëdha Low Cost, ndër të cilat mund të përmendim Wizz Air, EasyJet, RyanAir, Voeling, Pegasus, etj.’, deklaronte ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku në mars të 2019, pasi qeveria kishte miratuar vendimin për aeroportin e ri ndërkombëtar të Kukësit.

Dy vite më vonë, në 18 prill të 2021, kryeministri Edi Rama i hipi një avioni të linjës Air Albania në Rinas dhe pak minuta më vonë zbriti në Kukës për të inaguruar aeroportin ndërkombëtar të Kukësit. Avioni i “Air Albania” ishte nisur nga Londra, por ndaloi në Rinas, për të marrë në bordin e tij edhe kryeministrin Rama.

“Tani po e besoni, apo akoma? Kështu ndodh gjithmonë me ata që thonë, jo nuk bëhet dhe pastaj kur bëhet…”- shpotiste me pasagjerët kreu i qeverisë.

Prej hapjes e deri në janar të 2022, në Aeroportin e ZAYED operonte vetëm kompania Air Albania. Një muaj më vonë, aeroportit ndërkombëtar “Flatrat e Veriut” iu bashkua në pistë edhe avioni i parë i kompanisë WizzAir.

‘Dua ta falenderoj drejtorin e kompanisë për gatishmërinë për ta parë Kukësin si një mundësi, sepse në fillim ai ishte skeptik, por pastaj e gjithë analiza e bërë rezultoi në favor të aeroportit.’, shprehej Rama gjatë ceremonisë së rastit. Ndërsa drejtori ekzekutiv i kompanisë Wizz Air József Váradi njoftonte destinacionet e reja nga Kukësi.

‘Gjithçka do të nisë në maj, nga Kukësi do të lidhemi me Vjenën, Mynihun, Baden dhe me Bazelin. Uroj që ky të jetë vetëm fillimi.’

Pas një viti…

Një vit më vonë, analiza e kompanisë Wizz Air doli nw disfavor të aeroporitit. Kompania konfrimon për Faktoje se ka pezulluar operimin nga “Flatrat e Veriut”.

“Wizz Air konfirmon se pas një shqyrtimi dhe analize të kujdesshme, ne kemi vendosur të PEZULLOJMË operimet për/dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit (KFZ) si rezultat i sfidave të paraqitura nga mjedisi i jashtëm, në veçanti terreni dhe moti, që ndikojnë në performancën operacionale të biznesit tonë dhe çojnë në ndërprerje të klientëve.”,konfirmon kompania për Faktoje, teksa thekson se pasagjerët e prekur nga ky vendim janë lajmëruar dhe do të rimbursohen ose në para ose me një fluturim alternativë.

Pavarësisht tërheqjes nga Kukësi, hungarezët e Wizz Air garantojnë:

“Wizz Air mbetet e përkushtuar ndaj rritjes afatgjatë në Shqipëri, duke krijuar qindra vende pune, ndërkohë që stimulon industrinë e turizmit dhe të hotelerisë. Wizz Air ka njoftuar së fundmi alokimin e një avioni të ri në Tiranë, duke e rritur bazën në 11 avionë, që përfaqëson një investim mbi 1.1 miliardë euro në Shqipëri.”, theksohet në reagimin për Faktoje.

Çfarë paralajmëruan ekspertët?

Dritan Goxhaj, ekspert i Aviacionit Civil thotë se tërheqja e Wizz Air nga Kukësi ishte e pritshme.

“Terreni nuk është i përshtatshëm për atë tip avioni, sepse ulja bëhet në mënyrë vizuale dhe jo me instrumenta. Duke e bërë vizuale ajo është e lidhur pashmangmërisht me kushtet meteorologjike. Nese ka re nuk mund ta besh uljen vizuale, sepse nuk sheh dot, pasi rregulloret e aviacionit pwr uljet vizuale nuk ta mundësojnë një ulje pa iu shmagur reve. Po tw provosh t’u shmangesh reve aty në atë lartësi rrezikon fluturimin total dhe probabiliteti i një aksidenti është shumë i madh.”, thotë Goxhaj duke shtuar se me rregullore nuk lejohet ulja vizuale për avionët e mëdhej të transportit me pasagjerë, me përjashtim të rasteve të emergjencës.

“Nëse do shpallësh rast emergjence atëherë hyjnë në punë protokolle të tjera. Nëse nuk e shpall, por vazhdon uljen, ke thyer rregulloret e aviacionit kombëtar dhe ndërkombëtar dhe ke rritur rrezikun e një aksidenti. Por një aksident në kushte të tilla ku ke shkelur çdo lloj rregulli do të thotë mbyllje e kompanisë. Pra, sipas meje, kompania ka qënë e detyruar të zgjedhë midis dy humbjeve. Dhe ka zgjedhur atë më të voglën.”, argumenton Goxhaj.

Me largimin e Wizz Air, Kukësit i mbetet vetëm Air Albania si kompani që operon duke ofruar vetëm linjën Kukës- Bazel.

Përfundim

Ndonëseministrja e Infrastrukturës pretendonte se pozita gjeografike e aeroportit të Kukësit ishte e mirë dhe zhvillimi i tij kishte tërhequr vëmendjen e linjave me kosto të ulët, koha tregoi të kundërtën. Hungarezëve të Wizz Air iu mjaftoi vetëm një vit operim në Kukës për të kuptuar se terreni dhe moti i vështirë nuk e favorizonte biznesin e tyre. /faktoje.al


Shtuar 27.07.2023 20:15