Flori Mumajesi nuk përfshihet shpesh në debate publike, nisur nga fakti që në intervista shfaqet shumë rrallë ose pothuajse fare, e sidomos këto vitet e fundit kur “debatet” më të mëdha i ka pasur me veten e tij dhe jo me kolegët, megjithatë nëse e mbani mend 7 vite më parë, ai u përfshi në një diskutim me Venera Lumanin, në post-Kënga Magjike, ku kjo e fundit i kërkonte “llogari” artistit se përse “kishte futur muzikës turbo folk në tregun shqiptar”.
Nëse nuk e mbani mend debatin, nuk ju vemë faj, se fundja kanë kaluar 7 vite, megjithatë për ta rikujtuar ka menduar vetë Flori me anë të një prej postimeve të fundit në Instagram, ku shfaq pikërisht momentin tek e “E Diela Shqiptare”, ndërsa debati midis tyre është:
Venera: “Unë në fakt, doja t’i bëja vetëm një pyetje Florit. Kam dëgjuar shumë këngë të bukura nga Flori, pse duhet të bësh këngë aq të mëdha, por edhe këngë limonadë, deri diku, futur me këtë turbo folkun brenda?”
Flori: “Për mua, muzika nuk është një ekuacion i saktë. Unë bëj muzikë për çfarë ma ndien shpirti. Unë, këtë muzikën limonadë që thua ti, e dua”.
Debati vazhdon me këmbënguljen e Venerës që bën “këngë të pastra” dhe me Florin që saktëson se “nuk e ka futur ai muzikën folk”, ndërkohë që përgjigja e artistit ishte: “Do të të vijë koha edhe ty. E di sa kam parë si ty unë, Venera? Që bëjnë moral dhe ikin këndojnë nëpër dasma?”
Bashkangjitur me video-n e debatit, Flori shkruan: “Eshtë faji im? Apo cështje kohe” dhe nëse po vrisni mendjen pse kantautori ka zgjedhur ta postojë pikërisht tani këtë moment është për t’i kthyer përgjigje “me fakte” Venerës, duke vënë në fund të video-s këngën e saj të fundit dhe disa projekte të tjera, ku duket edhe përdorimi i muzikës që ajo vetë e paragjykojë në këtë klip.
E sikur të mos mjaftojë kjo “hakmarrje”, Flori ka marrë edhe mbështetjen nga mjaft kolegë artistë në komente.