Rebelimi i Wagner, cilat janë “Prigozhin”-ët e tjerë që kërcënojnë Putinin

Nga Michal Kranz “Unherd

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kremlinologjia është si të lexosh gjethet e çajit ose lëvizjen e yjeve për të parashikuar fatin. Pra është më afër një arti sesa shkencës, dhe informacioni që arrin të dalë prej andej publikohet vetëm për t’i shërbyer intrigave të mëtejshme të pallatit.

Gati 3 javë pas rebelimit të njësitë ushtarake mercenare Wagner të Yevgeny Prigozhin, Kremlini po bën gjithçka që ka në dorë për të projektuar një fasadë të qëndrueshmërisë dhe normalitetit.

Por asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Dhe pavarësisht paqartësisë së politikës së Moskës, kanë nisur të shfaqen disa kërcënime thelbësore ndaj Putinit (nga të cilat Prigozhin është vetëm një manifestim veçanërisht i frikshëm).

Aktualisht Putini është i përfshirë në një luftë për pushtet në 3 fronte: kundër forcave të Prigozhin dhe Wagner; kundër pakënaqësive brenda hierarkisë së tij ushtarake; dhe kundër vetë opinionit publikut rus, që i nxitur nga influencuesit nacionalistë, e ka dëshmuar veten që është në fakt shumë larg besnikërisë ndaj regjimit.

Vladimir Putin e di se rebelimi i Prigozhin mund të hapë “Kutinë e Pandorës”, me pretendues të tjerë për pushtet dhe me kryengritje të vazhdueshme për pjesën tjetër të mbretërimit të tij. Por në një nivel më të thellë, e djathta nacionaliste, për të cilën Prigozhin është shndërruar në simbolin e preferuar, ofron tani një alternativë ndaj monopolit të Putinit mbi mendimin politik në Rusi.

Dhe ky është një kërcënim shumë më thelbësor për Putinizmin: shfaqja e një lëvizjeje ideologjike që sfidon shtypjen që ka përdorur ndaj kulturën politike të Rusisë për një brez të tërë. Larg nga një disfatë përfundimtare, Prigozhin cilësohet tani si një simbol i sfidës së ardhshme.

Edhe pse tani për tani grushti i shtetit të tij dështoi të rrëzonte Ministrinë ruse të Mbrojtjes Ruse, Grupi Wagner vazhdon që të veprojë jashtë kontrollit të këtij institucioni ushtarak. Dhe ndonëse autoritetet ruse kanë filluar tashmë që ta çmontojnë perandorinë e tij personale tregtare, Prigozhin nuk është aspak pa para.

Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko konfirmoi se ai shkoi enkas në Shën Petersburg për të kërkuar miliarda nga pasuria e tij në para dhe armë personale që ishin sekuestruar, ndërsa autoritetet hoqën çdo lloj përgjegjësie financiare për rebelimin.

Prandaj, balanca e fuqisë midis tij dhe Presidentit të tij mbetet e paqartë, dhe është e qartë se Putin nuk është në gjendje ta eleminojë apo largojë nga skena. Këtë javë, Kremlini konfirmoi se Prigozhin u takua me Putinin pas rebelimit “dhe u zotua për besnikëri ndaj qeverisë”, një mesazh që bie në kontrast të fortë me demonizimin e vazhdueshëm të liderit të Wagner në mediat ruse.

Ndërkohë vazhdojnë narrativat kontradiktore rreth të ardhmes së Prigozhin. Tani për tani, ai mbetet aktiv dhe në thelb i pavarur. Në një reagim të fundit, ai deklaroi se luftëtarët e Wagner do të rikthehen së shpejti në vijën e frontit në Ukrainë, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me marrëveshjen që arriti me Putinin, sipas së cilës Wagner do të zhvendosej në Bjellorusi.

Thuhet se grupi ka vazhduar të rekrutojë luftëtarë të rinj në Rusi edhe pas rebelimit, përpara se të shpallte se do të ndalonte marshimin drejt Moskës, ndërsa do të tërhiqej nga Rusia, gjë që thuhet se nuk ka ndodhur ende. Dhe e gjithë kjo përbën një grup rrethanash shumë frustruese për Putinin.

Në vend se të përballet me të, ai është mjaftuar me gërvishtjen e pushtetit të Prigozhin. Dhe kjo tregon varësinë e vazhdueshme të Putin nga Wagner. Presidenti rus e kupton rolin që ka luajtur grupi në Ukrainë, ndaj preferon më mirë ta riorganizojë sesa ta shpërndajë atë, në mënyrë që të ruajë ndikimin e tij në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe gjetkë.

Pra, Wagner mbetet një kërcënim i fjetur, por i pranishëm. Por më afër janë rebelët e tjerë kopjues të Prigozhin, që mund të frymëzohet prej këtij të fundit në administratën e Putinit. Ishte e qartë se që nga momenti që Wagner pushtoi Rostov-on-Don pa asnjë rezistencë dhe nisi marshimin e tij drejt Moskës gati pa asnjë rezistencë, Prigozhin mund të kishte pasur ndihmë nga brenda, një koncept që për Putinin është më i tmerrshëm sesa vetë rebelimi.

Ka pretendime se gjenerali Sergei Surovikin, një nga anëtarët më të vjetër të ushtrisë së Putinit, ishte në dijeni të planeve të Prigozhin. Dhe që nga revolta, janë zbuluar dokumente që tregojnë se ai dhe 30 zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë dhe të inteligjencës kishin qenë “anëtarë VIP” sekretë të Wagner që nga viti 2018.

Surovikin nuk është parë në publik që në momentin kur publikoi një video gjatë rebelimit. Kjo ka bërë që raportet e inteligjencës amerikane të sugjerojnë se ai mund të jetë arrestuar. Udhëheqës të tjerë ushtarakë, si zëvendësministri i mbrojtjes Yunus-bek Yevkurov, i cili u filmua duke negociuar me Prigozhin në Rostov (potencialisht nën presion), munguan gjithashtu dukshëm në transmetimet e fundit nga udhëheqja e Ministrisë ruse të Mbrojtjes këtë javë.

Minimalisht, rebelimi i ka thelluar ndarjet brenda strukturave ruse të sigurisë, ndërsa blogu ushtarak rus me ndikim Rybar, i themeluar nga një ish-oficer shtypi i Ministrisë së Mbrojtjes, pretendon se Putin është duke kryer një “spastrim“.

Shkalla e tij do të mbetet e paqartë derisa Putini të përfundojë. Por duke pasur parasysh rrethanat, duhet të ndodhë një riorganizim domethënës, në të cilin besnikëria personale ndaj Putinit do të bëhet synimi kryesor. Putin e ka privilegjuar gjithmonë besnikërinë ndaj kompetencës.

Surovikin, një komandant ushtarak i mirënjohur, që dikur drejtonte operacionet e Rusisë në Ukrainë, u zëvendësua më vonë nga Gerasimov, i cili, pavarësisht se u konsiderua gjerësisht si i paaftë nga shumë kritikë të Kremlinit, përfshirë Prigozhin, ka shërbyer si ushtarak besnik i presidentit të tij.

Sepse ajo që i frikësohet në fakt Putin është mungesa e kontrollit mbi rrethin e tij të njerëzve të fortë, të ashtuquajturit siloviki. Por në një akt të rrallë për një autokrat, fronti i fundit në të cilin Putini është detyruar të mbrohet është ai i opinionit publik.

Në një intervistë të fundit për “The New Yorker”, analistja Tatiana Stanovaya tha me të drejtë se Putini nuk e ka nxjerrë kurrë autoritetin e tij nga populli rus. Megjithatë, perceptimi publik ka ende rëndësi, sepse çdo formë mospajtimi e minon narrativën qendrore të Putinizmit, sipas së cilës e vetmja mënyrë për të siguruar statusin e justifikuar historikisht të Rusisë si e para ndër kombet e botës, është nëpërmjet besnikërisë ndaj Putinit dhe rrethit të tij të ngushtë.

Prigozhin foli publikisht jo vetëm kundër establishmentit të Putinit, por në transmetimet e tij ai i fliste shpeshherë drejtpërdrejt publikut rus. Në këtë mënyrë, ai shkeli një shtyllë tjetër në pushtetin e Putinit. Idenë që populli rus duhet të mbetet i depolitizuar dhe t’i lejojë autoritetet të menaxhojnë vendin ashtu siç e shohin të arsyeshme.

Pamja e civilëve në Rostov që e përshëndesin Wagnerin krahëhapur dhe i shtrëngojnë dorën Prigozhin është një fyerje spektakolare. Dhe sipas Qendrës Levada, një nga organizatat më të mëdha të pavarura të sondazheve në Rusi, mbështetja për Wagner-in ishte 58 për qind në ditët para rebelimit të tij, përfshirë ditën kur Prigozhin deklaroi se besonte se lufta në Ukrainë kishte nisur për arsye korruptive.

Edhe pse kjo mbështetje ra në ditën e rebelimit, ajo vazhdoi të mbetej rreth 30 për qind për disa ditë më pas, pavarësisht sulmeve të forta universale të Prigozhin në mediat kryesore ruse. Së bashku me këto sulme mediatike, Putin është ndjerë me sa duket i detyruar të tregojë se ka besnikërinë edhe nga rusët e zakonshëm.

Në një lëvizje disi jo tipike pas viteve të tij të gjata të izolimit gjatë pandemisë, Putin u shfaq para një turme në Derbent në Republikën e Dagestanit, në skajet jugore të Federatës Ruse.

Rebelimi i Wagner i ka ndryshuar rregullat e lojës, dhe Putini është detyruar të përshtatet. Por Putini nuk ishte më i shqetësuar për masat e sigurisë në Derbent-in e largët.

Pas fshirjes së gjurmëve të fundit të opozitës liberale në Rusi dhe rrënjosjes me sukses të vizionit të tij historik të nacionalizmit tradicional rus, Putin e pozicionoi veten si ylli ideologjik i Rusisë moderne.

Por ndërsa lufta në Ukrainë nxori në pah paaftësinë e tij për ta përmbushur atë vizion, kjo hegjemoni nisi të plasaritej dhe të njëjtët nacionalistë që Putini i kishte frymëzuar morën shënime nga rebelimi.

Prigozhin u dha zë shumë prej këtyre shqetësimeve në lidhje me menaxhimin e luftës, përfshirë agjitatorët e regjimit si Rybar. Tani, Rybar dhe influencues të tjerë po ushqehen me fushatën e Kremlinit për të diskredituar arritjet e Wagner-it në Ukrainë dhe po zgjedhin të përplasen me një Ministri ruse të Mbrojtjes që është gjithnjë e më e frustruar me paaftësinë e saj për t’i detyruar blogerë që të respektojnë narrativën zyrtare.

Po ashtu jashtë rrjetit vazhdon të rritet mbështetja për Wagner-in, siç e treguan studentët që tundnin flamujt e grupit në Moskë në fillim të këtij muaji.

Për Putinin, rebelimi i Wagner destabilizoi terrenin poshtë këmbëve të tij po aq sa edhe muret rreth tij. Megjithëse reagimet e tij publike janë dukur të përmbajtura deri më tani, me një përpjekje për të projektuar sa më mirë një imazh qetësie, komanda e tij nuk është më absolute.

Edhe nëse ai është në gjendje të neutralizojë Prigozhin dhe ta vendosë Wagner-in nën kontrollin e tij, kërcënimi nga brenda Kremlinit dhe nga baza e ultranacionalistëve do të mbetet aty. Dhe larg një lajthitjeje të momentit, grushti i shtetit të Prigozhin mund të shihet si një pikë kthese, si hallka e parë në një mori grushtesh, kundër-grushtesh dhe luftërash civile tepër të përgjakshme me të cilat Rusia dhe populli i saj janë shumë të njohura. /albeu.com


Shtuar 15.07.2023 22:39

Tags: