Një vend për gratë, nga gratë: kjo është ajo që përfaqëson Umoja, një fshat në Kenian veriore. Ngjason shumë me vendbanimet e tjera fisnore afrikane me kullota dhe kasolle përreth, përveçse, aty nuk jeton asnjë burrë.
E themeluar në vitin 1990 si një vend i shenjtë për gratë që i shpëtojnë dhunës, Umoja është shtëpia e femrave të të gjitha moshave. Burrave u ndalohet hyrja për të krijuar një hapësirë të sigurt për vajzat dhe gratë që i kanë mbijetuar dhunës, abuzimit seksual, gjymtimit gjenital femëror ose që janë dëbuar nga familjet e tyre. Ky fshat ka strehuar rreth 50 familje të përbëra nga gra dhe fëmijët e tyre, duke i edukuar mbi të drejtat e grave dhe dhunën me bazë gjinore. Çdo fëmijë i gjinisë mashkullore lejohet të jetojë në fshat derisa të mbushë 18 vjeç.
Fotografi ganez, Paul Ninson, mësoi për gratë nga një postim në internet dhe vendosi të shkonte në Kenia për të fotografuar këtë fshat. Megjithatë, nuk ishte aspak e lehtë që të hynte brenda në fshat. Ai thotë se pas shumë përpjekjeve u mirëprit nga gratë vetëm pasi shpjegoi qëllimin e vizitës së tij.
Mënyra e jetesës në këtë fshat është modeste. Gratë punojnë për të siguruar të ardhura për ushqim dhe arsimimin e fëmijëve. Turistët që dëshirojnë të vizitojnë këtë vend paguajnë një tarifë të vogël hyrjeje dhe mund të blejnë stoli dhe vepra artizanale të punuara nga gratë.
“Fshati pa burra”
“Fshati pa burra” është një koleksion fotografish të realizuara nga Ninson, i cili tha se synon që përmes këtyre imazhe të rrisë ndërgjegjësimin për çështje sociale, mjedisore ose politike. Ai vendosi të udhëtojë gjithashtu në vende të tjera afrikane për të ndarë histori të panjohura të këtij kontinenti.
Gjatë gjithë eksperiencës së tij profesionale, Ninson ka grumbulluar libra me foto të shkrepura nga dhe për afrikanët. Mblodhi aq shumë materiale saqë me ndihmën e organizatave të ndryshme arriti të hapë një qendër në kryeqytetin e Ganës, Akra. Sot, ajo qendër përfaqëson bibliotekën më të madhe të fotografisë në Afrikë dhe një hapësirë edukimi vizual. Mes shumë albumesh, padyshim një nga më interesantet dhe më të dashurat për artistin është ajo e fshatit të grave.