Tensioni i ulët i gjakut ose ndryshe hipotensioni përkufizohet si vlerë e tensionit të gjakut e cila është më e ulët se pritja normale për një person të caktuar në kushte të caktuara dhe është nocion relativ. Vlerat e tensionit të gjakut ndryshojnë në varësi të aktivitetit, moshës, barnave dhe gjendjes shëndetësore.
Presioni i gjakut konsiderohet i ulët kur vlera më e lartë (sistolike) është 90 ndërsa vlera më e ulët 60. Shkaqet e presionit të ulët të gjakut mund të jenë që nga dehidratimi deri në çrregullime të rënda mjekësore ose kirurgjikale. Është e rëndësishme të zbuloni se çfarë po e shkakton tensionin e ulët të gjakut në mënyrë që të mund ta trajtoni atë.
Simptomat:
Për disa persona, presioni i ulët i gjakut sinjalizon një problem të rëndë, veçanërisht kur bie papritur ose shoqërohet me shenja dhe simptoma të tilla si:
- Marrje mendsh,
- Humbje ndjenjash,
- Shikim i turbullt,
- Të përziera/të vjella,
- Lodhje,
- Vështirësi në frymëmarrje,
- Mungesë përqendrimi
Hipotensioni ekstrem mund të rezultojë edhe në gjendje të rrezikshme për jetën.
Një rënie e papritur e tensionit të gjakut mund të jetë e rrezikshme. Një ndryshim i vetëm 20 mm Hg – për shembull kur numri sistolik bie nga 110 në 90 mm Hg, mund të shkaktojë marramendje dhe të fikët pasi truri nuk arrin të marrë një furnizim në kohë të gjakut. Këto mund të shkaktohen nga gjakderdhja e pakontrolluar, infeksione të rënda ose reaksione alergjike, të cilat mund të jenë kërcënuese për jetën.
Në këtë rast mund të ketë marramendje, dobësim të trupit, çrregullime të shikimit por edhe humbje e shkurtër e vetëdijes (sinkopa). Sëmundja diagnostikohet në bazë të historisë mjekësore, ekzaminimit fizik dhe rezultatet nga ekzaminimet tjera klinike.
Trajtimi i hipotensionit varet nga ashpërsia e simptomave. Qëllimi është që tensioni i gjakut të rivendoset në vlerat normale dhe të largohen simptomat.