I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.
Vuçiç tha përmes një postimi në Instagram se me emisarin evropian ka biseduar për situatën në Kosovë, për mënyrat se si të ulen tensionet në terren dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.
“I kam bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet në mënyrë më konkrete për të gjitha këto çështje”, tha Vuçiç.
Lajçak po qëndron në Beograd një ditë pasi vizitoi Prishtinën ku u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit me Kurtin, Lajçak deklaroi se ka mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e BE-së, por se “ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapa konkretë”.
Për shkak të mospërmbushjes së tri kërkesave të parashtruara, BE-ja që nga fundi i qershorit ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që blloku evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.
“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të zbatohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare”, tha Lajçak.
Që nga fundi i majit, serbët po protestojnë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.
Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht po kërkon nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale.