Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend: Janë rritur ndjekjet penale për korrupsion

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi sot në Parlament raportin e veprimtarëisë vjetore për vitin 2022.

Ai theksoi se gjatë vitit 2022 ka patur rritje të ndjekjes për veprat penale të korrupsionit, duke thënë se 91.35% e çështjeve janë dërguar për gjykim.

Çela tha se 65 % e çështjeve për korrupsion janë pushuar.

Olsian Çela: Për veprat penale të korrupsionit në kompetencë lëndore të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, efiktiviteti vijon dukshëm i lartë, 91,35 % e çështjeve janë dërguar për gjykim dhe 8,65 % e çështjeve janë pushuar. Referuar të dhënave statistikore për këtë grupvepra, janë regjistruar 262 procedime penale me 201 të pandehur dhe 169 procedime me 187 të pandehur janë dërguar për gjykim, ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 162 % të numrit të procedimeve të regjistruara, rritje 212.9 % të numrit të procedimeve, rritje 114.9 % të numrit të pandehurve të dërguar për gjykim, si dhe me rritje mbi 3.7 herë (nga 19 në 91) të numrit të personave të dënuar për vepra penale kundër korrupsionit.

Prokurorët kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit në 61 procedime penale për veprat penale të korrupsionit dhe që lidhen me detyrën ose me rritje 3.3% të numrit të këtyre procedimeve krahasuar me vitin 2021. Këto procese kanë çuar në arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 58 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 45 % të numrit të personave të arrestuar në flagrancë apo të ndaluar për këtë grupvepra penale./albeu.com/