Ka ardhur koha të ndalen makinacionet përçarëse ruso-serbe në Ballkan

Nga Ivana Stradner “Foundation for Defense of Democracies

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ndërsa e gjithë vëmendja e botës është kryesisht tek Ukraina, Serbia, e mbështetur nga Rusia, po provokon një kaos të ri në Ballkan. Duke e shtyrë rajonin në prag të kolapsit dhe duke rindezur konfliktet etnike, Kremlini shpreson që të minojë NATO-n dhe ta rivendosë Rusinë në pozicionin e një fuqie ndërmjetësuese në rajon.

Një konflikt në rritje mes Kosovës dhe Serbisë, po kërcënon të kthehet në një krizë tjetër në Evropë. Përplasjet e forta të shkaktuara nga serbët në Kosovën Veriore në muajin maj, shkaktuan plagosjen e 30 anëtarëve të forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe që nga ai moment situata ka vazhduar të përshkallëzohet.

Serbia dhe Rusia kanë një prirje të theksuar për datat dhe mitet historike, dhe kjo e mërkurë do të jetë një mundësi tjetër për Moskën dhe Beogradin për t’i hedhur më shumë “benzinë zjarrit” në rajon. 28 qershori përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389, një ngjarje e rrënjosur thellë në historinë e Serbisë.

Ministria e Jashtme ruse pretendoi se kriza Kosovë-Serbi po shkon drejt një konflikti të armatosur. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se si një “luftë e madhe po shpërthen në zemër të Evropës”. Ndërsa është e vështirë të parashikohet nëse situata në Kosovë do të përshkallëzohet në nivelin e një konflikti të armatosur, Rusia dhe Serbia ka të ngjarë të ndërmarrin fushata keqinformimi për të thelluar tensionet etnike në rajon. Prandaj ka ardhur koha që Perëndimi të reagojë fuqishëm kundër skenarit serb dhe rus, duke shfrytëzuar të gjithë hapësirën e vet informative.

Javën e kaluar, autoritetet serbe arrestuan 3 policë kosovarë. Pavarësisht kërkesave të Shteteve të Bashkuara për lirimin e tyre, presidenti serb Aleksandar Vucic rezistoi për disa ditë, dhe i liroi vetëm në fillim të kësaj jave. Konflikti Kosovë-Serbi ka potencialin të përshkallëzohet më tej.

Javën e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden tha se situata përbën “një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi se NATO “e ka shtuar praninë e saj në Kosovë dhe do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet atje”.

Për të zbutur situatën, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, organizoi një takim mes liderëve të dy vendeve të enjten e kaluar, më 22 qershor, por më pas njoftoi në Twitter se takimi nuk solli ndonjë përparim domethënës, dhe se situata në veri të Kosovës mbetet ende “shumë alarmante”.

Thelbi i problemi ka të bëjë me faktin se Rusia dhe Serbia përfitojnë nga përshkallëzimi i situatës në Kosovë. Përpjekjet e Putinit për të destabilizuar Ballkanin janë pjesë e strategjisë së tij më të gjerë rajonale për ta vendosur Rusinë si një ndërmjetëse të fuqisë globale, teksa e dobëson besueshmërinë e NATO-s dhe e shmang vëmendjen e Perëndimin nga lufta e vazhdueshme në Ukrainë.

Nga ana tjetër, Vucic shpreson t’i shërbejë interesave strategjike më të menjëhershme, duke u paraqitur si një burim stabiliteti në mesin e kaosit rajonal, duke përshkallëzuar dhe de-përshkallëzuar konfliktet me Kosovën si një mënyrë për të bërë pazare me Perëndimin. Kjo strategji synon ruajtjen e pushtetit, minimin e opozitës properëndimore të Serbisë dhe promovimin e nacionalistëve të ekstremit të djathtë, në një kohë që ai vetë duket si një lider i moderuar në sytë e Perëndimit. Kriza e Kosovës, ndihmon gjithashtu në largimin e vëmendjes nga problemet e brendshme.

Për Serbinë nuk ka festë tjetër më të rëndësishme se 28 qershori, datë kur u zhvillua Beteja e Kosovës në vitin 1389 ndërmjet ushtrisë serbe dhe asaj të Perandorisë Osmane në Fushë Kosovë. Kanë kaluar më shumë se gjashtë shekuj që nga kjo ngjarje, por kjo festë, e quajtur Vidovdan, ka një rëndësi të madhe kulturore dhe historike në historinë serbe, dhe shihet si simbol i sakrificës dhe trimërisë.

Nëse historia është njëfarë udhërrëfyesi, duhet të kujtojmë se më 28 qershor 1989, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Slobodan Milosevic, mbajti një fjalim në Gazimestan, një vend memorial për ushtarët e rënë serbë. Ajo që ndodhi ishte përpara tensioneve intensive etnike që rezultuan në rënien e Jugosllavisë në vitet 1990.

Narrativa rreth Kosovës ishte thelbësore për mbijetesën politike të Milosevic, pasi ai e ndërtoi agjendën e tij nacionaliste bazuar në këtë mit. Milosevic tha ndër të tjera atë ditë: “Gjashtë shekuj më vonë, ne jemi përballë betejave të reja, duke na u kërkuar e njëjta vendosmëri, trimëri dhe sakrificë që u pa dikur në Kosovë, edhe pse tani në luftën tonë për prosperitet shoqëror dhe qytetërim. Kjo luftë kërkon një lloj tjetër guximi dhe heroizmi, të domosdoshëm për çdo arritje të rëndësishme dhe të madhe”.

Javën e kaluar, Vucic foli për Vidovdanin dhe paralajmëroi kohë të vështira për serbët, duke theksuar se “gjërat kanë arritur aty ku nuk mbajnë më”. Në kundërpërgjigje, Perëndimi duhet të përdorë operacionet informative, duke përdorur mediat sociale dhe platformat e mediave lokale për të përçuar mesazhin e duhur tek nacionalistët serbë të ekstremit të djathtë që e konsiderojnë Kosovën si zemrën e atdheut të tyre.

Në vend se të përpiqen t’u shesin serbëve të ekstremit të djathtë narrativat për demokracitë perëndimore dhe t’i bindin ata të pranojnë pavarësinë e Kosovës, këto operacione duhet të nxisin nacionalizmin serb për të nxjerrë në pah dyfytyrësinë e Moskës dhe për ta paraqitur Rusinë si një fuqi perandorake që po e shfrytëzon në mënyrë strategjike Kosovën për interesat e saj gjeopolitike.

Ndërsa Rusia premton mbështetje për Serbinë, operacionet informative perëndimore, duhet ta portretizojnë Moskën si një partner jo të besueshëm, duke u kujtuar serbëve dështimin e Rusisë për të ndihmuar aleatin e saj Armeninë, një anëtare e CSTO, gjatë luftës së 2 viteve më parë në Nagorno Karabakh.

Rusia i premtoi mbështetjen e saj Serbisë, por serbët e ekstremit të djathtë mund të mos besojnë se aftësia ushtarake e Rusisë është e kufizuar. Në vend të kësaj, operacionet efektive të informacionit duhet t’u kujtojnë serbëve se Rusia iu bashkua dikur misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë, duke e braktisur në vitin 2003.

Perëndimi duhet ta shfrytëzojë episodin si një shembull tipik ku rusët lënë në baltë vëllezërit e tyre sllavë, duke iu thënë nacionalistëve serbë: “Ku ishte Rusia në 1999 për të mbrojtur vëllezërit e saj sllavë nga NATO?”. Por pse duhet ndalur atje?

Në vend se të promovojë narrativën e Rusisë mbi “Betejën e Kosovës”, Perëndimi duhet

të krijojë një narrativë të re për 28 qershorin. Atë ditë Josip Broz Tito, lideri i Partisë Komuniste të Jugosllavisë (KPJ) e braktisi Stalinin edhe pse Jugosllavia ishte konsideruar si aleati më i besueshëm i sovjetikëve deri në vitin 1948.

Në prillin e vitit 1945, Tito firmosi Traktatin Sovjeto-Jugosllav të Miqësisë dhe Ndihmës së Ndërsjelltë, duke e bërë Jugosllavinë aleate të Bashkimit Sovjetik. Pas mosmarrëveshjeve të shumta ideologjike dhe strategjike, Stalini i portretizoi si “anti-sovjetikë” dhe “anti-marksisto-leninistë” udhëheqësit jugosllavë.

Në kundërpërgjigje, Tito filloi spastrimet kundër besnikëve të Stalinit në Jugosllavi, duke çuar në riorientimin gjeopolitik të Jugosllavisë brenda Evropës Lindore. Ndarja përfundimtare midis Titos dhe Stalinit ndodhi më 28 qershor 1948, kur Kominformi Sovjetik publikoi një Rezolutë që akuzonte KPJ-në për politika anti-sovjetike dhe devijime nga linja marksiste-leniniste.

Duke shfrytëzuar simpatinë e serbëve për udhëheqësit e guximshëm, Perëndimi duhet ta përshkruajë Vucic si më pak këmbëngulës sesa Tito. Sepse ngjashëm me këtë të fundit presidenti aktual serb kërkon të luajë midis Lindjes dhe Perëndimit, një skemë që Uashingtoni duhet ta vërë në provë.

Duke pasur parasysh kontrollin e fortë të Vucic ndaj mediave në vend, Perëndimi duhet të përdorë në një mënyrë më të vendosur autoritetin e tij për të kundërshtuar ndikimin rus në Ballkan. Moska ka përdorur operacionet informative për të nxitur kaos në Kosovë dhe për të treguar se NATO dhe Perëndimi nuk janë gjë tjetër veçse “tigra prej letre”.

Ndaj është koha që Perëndimi të tregojë se “Vëllazëria Sllave” e Rusisë nuk është gjë tjetër veçse një mit në Ballkan.

Shënim: Dr.Ivana Stradner është e fokusuar mbi ndikimin rus në organizatat ndërkombëtare dhe doktrinat ushtarake të Rusisë në lidhje me operacionet informative. Ajo është këshilltare e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive (FDD).

/albeu.com


Shtuar 28.06.2023 10:37