A e ka humbur Putini Rusinë?

Nga Wacław Radziwinowicz “Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në fjalimin e tij drejtuar popullit rus pas rebelimit të Yevgeny Prigozhin, presidenti rus Vladimir Putin iu referua ngjarjeve të ngjashme të vitit 1917, kur rebelimi i këmbësorisë së drejtuar nga gjeneralit Lavr Kornilov i hapi rrugën bolshevikëve për të marrë pushtetin dhe për të shkaktuar një luftë civile që do të zgjaste për 5 vite.

Nga këndvështrimi i Kremlinit, ajo smuta (epokë e errët) është kërcënimi më i rrezikshëm për Rusinë, edhe pse jo vetëm për katastrofën ushtarake që parashikon. Burrave në Kremlinin e Putinit nuk u intereson se çfarë ndodh me popullin rus, shtëpitë dhe qytetet e tyre.

Për ta, perspektiva më e frikshme është se aparati shtetëror do të marrë një pozicion neutral në këtë moment krize, duke pritur të shohë se kush do të fitojë, dhe para kujt do të duhet të përkulet.

Tani për tani mercenarët Wagner Group të Prigozhin e kanë anuluar “marshimin e tyre për drejtësi” drejt Moskës, ku Prigozhin u zotua se do të eliminonte në Sheshin e

Kuq elitën drejtuese të regjimit, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, shefin e Shtabit të Përgjithshëm rus Valery Gerasimov dhe shumë gjeneralë dhe oligarkë.

Kolona e Wagner-it me mijëra trupa dhe armë që po marshonte prej orësh përgjatë autostradës M4 “Don”, e cila në një moment nuk ishte më shumë se 200 kilometra larg nga Moska, teksa ushtria ruse nuk po dukej askund për ta ndaluar atë, ka ndryshuar kurs.

Por para se të pranonin të ktheheshin mbrapsht, ata morën nën kontroll pa luftë qytetin Rostov, ku ndodhet shtabi i qarkut ushtarak jugor të Rusisë, dhe duke lëvizur drejt veriut, pushtuan qytetin e rëndësishëm Voronezh.

Por mercenarët e Wagner nuk kishin gjasa të përsërisnin suksesin e marshimit të Këmishave të Zeza në Romë në vitin 1922. Në atë kohë fashistët e Benito Musdolinit, u ftuan ta merrnin pushtetin nga mbreti i Italisë.

Sikur Prigozhin të mos pranonte imunitetin për mercenarët e tij dhe një shtëpi të re në Bjellorusi, ka shumë gjasa që meranerët e këtij grupimi do të kishin pësuar fatin e Sturmabteilung (SA) të Hitlerit, i spastruar dhe pushkatuar nga ushtria dhe policia në vitin 1934, vetëm një vit e gjysmë më vonë pasi nazistët kishin ardhur në pushtet.

Elitat e Putinit u fshehën derisa të kalonte rreziku më i madh. Përfaqësuesit më fanatikë të propagandës së Kremlinit, si Margarita Simonyan dhe Vladimir Solovyov, heshtën ose bënin njoftime të pakuptueshme dhe kaotike. Politikanë të tjerë rusë zgjodhën të heshtnin.

Edhe ish-presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev, që zakonisht reagon shpesh në rrjetet soociale ndërsa rusët pinë nga e premtja deri të hënën, postoi shumë pak, duke bërë thirrje vetëm një herë që vendi të mblidhet rreth Vladimir Putinit.

Vetë Putini nuk po e përballon si duhet situatën shumë të vështirë me të cilën përballet tani: rivendosjen e kontrollit mbi forcat ushtarake të demoralizuara dhe të përçara të vendit. Deri më tani, apologjetët e tij, të cilët prej kohësh dukej se besonin se ai është një magjistar politik që mund të nxjerrë gjithmonë një “lepur” nga “kapelja” e tij, e lavdëruan atë që iu përgjigj me mburrje krizave që ka shkaktuar lufta e tij kundër Ukrainës.

Sot, mburrjet e tij janë kërcënime të një dhunuesi që ndihet shumë i pasigurt për fatin e tij. Nëse do të përpiqet t’i përmendë ato sërish, dhe Prigozhin (apo ndonjë rebel tjetër) nuk do të neutralizohet, Rusia do të përballet me perspektivën e një lufte civile – ndoshta të shkurtër në kohë, por gjithsesi të përgjakshme.

Në atë rast, problemi më i madh për Putinin do të ishte gjetja e dikujt që do të ishte i gatshëm të zbatonte urdhrat vëllavrasëse për të luftuar kundër luftëtarëve të Wagner, që kanë luftuar me aq shumë egërsi në Bakhmut dhe që deri vonë konsideroheshin heronj si dhe “ushtarët më të mirë të Rusisë”.

Sigurisht Putin është shumë larg nga Leon Trotsky, i cili dërgoi dikur marshallin e shkëlqyer Mikhail Tukhachevsky për të mposhtur marinarët rebelë në Kronstadt, heronjtë e fundit të grushtit të shtetit bolshevik. Pasi mori nën kontroll kështjellën, Tukhachevsky ekzekutoi çdo 1 në 10 rebelë pa iu dridhur qerpiku.

Ai nuk ka as ndonjë brigadë pushkësh letoneze, e cila dikur e shpëtoi Leninin nga revolta e esenëve të majtë. Sot Warnger mund të ketë ndoshta 6.000 trupa (edhe pse Prigozhin pretendon se numri është 25.000). Ata kanë fituar shumë përvojë luftarake në Ukrainë, Afrikë dhe Siri, dhe janë të mirë-armatosur (përfshirë avionët luftarakë).

Pra duket se janë të organizuar në mënyrë të shkëlqyer. Për t’i asgjësuar ato do të duheshin të paktën 4 divizione të plotë të ushtrisë ruse, të motivuara dhe të mirë-trajnuara. Por të gjitha trupat e tilla ruse janë në Ukrainë.

Nëse Kremlini do të detyrohet ndonjëherë që t’i tërheqë ato nga vija e frontit për të shuar një rebelim në shtëpi, ukrainasit, me kundërsulmin e tyre tashmë në zhvillim, do të jenë të gatshëm të mësyjnë nga të çarat që hapen në linjat ruse mbrojtëse.

Dhe kjo mund të nënkuptojë një humbje të madhe për Moskën në luftën që ajo nisi në shkurtin e vitit të kaluar. Në rast se siç është e mundur, do të ndodhë një masakër e stilit të Kronstadtit ndaj mercenarëve të Wagner, kjo goditje do të shkaktonte një plagë të dhimbshme, sepse Prigozhin dhe njerëzit e tij gëzojnë mbështetjen e shumë rusëve të thjeshtë.

Për ta, Prigozhin është një hero, dhe jo një tradhtar, sepse ai është një nga të vetmit personazhe publike që guxon të thotë të vërtetën për menaxhimin e paaftë të luftës në Ukrainë nga ana e Kremlinit. Po ashtu ata shohin tek ai një komandant atëror që ngrihet në mbrojtje të ushtarëve, jetët e të cilëve po humbin me kot nga gjeneralët e ngathët dhe të korruptuar të Putinit.

Njerëzit që mendojnë në këtë mënyrë, mund të përbëjnë një pjesë shumë të madhe të shoqërisë ruse. Pavarësisht nëse Prigozhin burgoset, ekzekutohet apo fiton, ai do të mbetet për ta një ikonë.

Shënim:Wacław Radziwinowicz, një analist politik polak, autor i 3 librave mbi Rusinë.

/albeu.com


Shtuar 26.06.2023 09:45