Kosova nuk njeh rezultat pozitiv, humb edhe me Bjellorusinë

Kombëtarja e Kosovës në futboll në rënie të lirë. Pas tri barazimeve dëshpëruese, “Dardanët” tani ka shënuar edhe humbjen zhgënjyese, duke pësuar nga një ekip si Bjellorusia me rezultatin 2:1.

Me këtë rezultat, lëre që shuhen gjasat për kualifikim historik në Evropian, që ishte prioritet i deklaruar nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe kombëtarja, por tani Kosova ka rënë në pozitën e parafundit në grup me vetëm tri pikë.

Më keq se Kosova është vetëm Andorra, ekip me të cilin po ashtu ka barazuar dhe e ka vetëm atë pikë të fituar nga katër përballjet e luajtura.

Pjesa e parë u mbyll pa gola të shënuar, me Kosovën që dominoi shumicën e kohës ndeshjen dhe pati më shumë raste shënimi.

E pjesa e dytë ishte e tmerrshme për “Dardanët”

Morozov në të 73-tën dhe Ebong dy minuta më pas realizuan për epërsinë e dyfishtë të bjellorusëve.

Vedat Muriqi ngushtoi epërsinë në minutën e 87-të nga pika e penalltisë.

Kësisoj, Kosova humbet pothuajse të gjitha gjasat për kualifikim në grupin I, teksa gjendet e pesta, prapa Zvicrës, Rumanisë, Izraelit e Bjellorusisë.

Ndeshjet e radhës, Kosova i zhvillon në muajin shtator, e që do të jenë sa për sy e faqe.


Shtuar 19.06.2023 22:52