Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur sot në Pekin për një vizitë dy ditore, ku do të takohet me zyrtarë të lartë kinezë.
Gjatë vizitës së tij dy-ditore në Pekin, Blinken do të zhvillojë bisedime me shefat diplomatikë kinezë dhe mund të takohet gjithashtu me presidentin kinez Xi Jinping.
Kjo është vizita e parë e një diplomati amerikan në Kinë që prej vitit 2018, në një përpjekje për të lehtësuar tensionet në marrëdhëniet kinezo-amerikane. Zyrtarët amerikanë thonë se qëllimi kryesor i bisedimeve është stabilizimi i një marrëdhënieje që është bërë jashtëzakonisht e tensionuar.
Sytë e komunitetit ndërkombëtar janë drejt Pekinit, pasi çdo përshkallëzim në marrëdhëniet midis dy superfuqive ka një ndikim të mundshëm në fusha të ndryshme: nga tregjet financiare, tek tregtia ndërkombëtare, tek zinxhiri i furnizimit global.
Vizita e Blinkenit në Pekin vjen gati pesë muaj pasi një vizitë e mëparshme e tij në Kinë u shty, pas fluturimit të një baloni të dyshuar s ii vendosur nga spiunazhi kinez në hapësirën ajrore të SHBA-ve.
Sakaq SHBA-të kanë ulur pritshmëritë për vizitën dhe të dyja palët kanë bërë të qartë se nuk presin ndonjë përparim të madh nga bisedimet, raporton BBC.
Përkeqësimi i marrëdhënieve SHBA-Kinë ka ngritur shqetësime për një konfrontim të mundshëm ushtarak mbi Tajvanin, të cilin Pekini e konsideron një provincë kineze, për të cilin synon ta përfshijë në republikën e Kinës.
Një shqetësim i veçantë për fqinjët e Kinës ka qenë ngurrimi i Pekinit për t’u përfshirë në dialogun e menaxhimit të krizave me SHBA-të.
Përpara mbërritjes së Anthony Blinken në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbint theksoi se “Shtetet e Bashkuara duhet të braktisin iluzionin se po merren me Kinën nga një pozicion i fortë. Kina dhe SHBA duhet të zhvillojnë marrëdhënie të bazuara në respektin e ndërsjellë dhe barazinë, duke respektuar dallimet e tyre”./albeu.com/