Britania e Madhe i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar nga Serbia më 14 qershor.
Në një komunikatë të minsitrisë së Jashtme britanike, thuhet se u bëhet thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet.
Qeveria britanike gjithashtu i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë “të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”
“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin (Albin) Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga zyra alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë e posaçme të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se “zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në ato zgjedhje”.
UK Statement on the latest developments in the north of Kosovo:https://t.co/ikQLgcWT0q
— UK in Kosovo ?? (@UKinKosovo) June 16, 2023
Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e saj. Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Beogradi, në anën tjetër, deklaron se nuk bëhet fjalë për rrëmbim, por për arrestim të policëve në territorin serb.
Dy ditë më vonë, autoritetet e Serbisë nuk kanë ofruar ende asnjë informacion lidhur me të arrestuarit./albeu.com/