“Kosova është shtet i pavarur”, Presidenti i Kroacisë: Serbia të pranojë realitetin

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka reaguar në lidhje me tensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës.

Ai ka deklaruar se Kosova është tashmë shtet i pavarur dhe se këtë realitet duhet ta pranojë edhe Serbia.

“Serbia duhet të kuptojë dhe të pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht, kjo nuk është pranuar nga disa anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian”, tha Milanoviç.

Ai tha se në samitin e kaluar të NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës, ishte i vetmi që u bëri thirrje vendeve evropiane, të cilat ende nuk e kanë bërë, që të njohin Kosovën.

“Por, kjo është si të flasësh me një mur. Disa vende nuk e kanë njohur sepse kanë frikë nga precedentë që përfundimisht, në një moment krize, në një rënie të imunitetit, mund të zbatohen në vendet e tyre dhe t’u merret diçka”, tha Milanoviç.

Kosova ende nuk është njohur nga pesë anëtarë të Bashkimit Evropian – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.


Shtuar 30.05.2023 22:40