Basha nis kthimin në PD, çfarë ndodhi sot në takimin me të rinjtë

Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha, pas një mungese të gjatë, ka zbritur sërish në terren duke zhvilluar një takim me të rinjtë në Tiranë.

Takimi i Bashës vjen vetëm pak ditë pasi Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen si kryetar i komanduar i PD, pas dështimit në zgjedhjet lokale të 14 majit, ku rezultatet ishin zhgënjyese.

Gjatë takimit me të rinjtë Basha ka lënë të nënkuptohet se po përgatitet për rikthimin e tij në politikën aktive, duke theksuar e kërkaur mbështetjen tek të rinjtë.

Ai tha se gjatë një viti e gjysëm që ka qenë larg politikës aktive ka vënë re se rinia është pjesa më aktive e shoqërisë, ndryshe nga disa politikanë të vjetër që mendojnë se politika nuk bën pjesë në planet e rinisë.

“Në veçanti politikanët janë mësuar që fajin për mospjesëmarrjen në zgjedhje ta kërkojnë tek të rinjtë duke i cilësuar indiferentë. Përvoja ime në këtë 1 vit e gjysmë jashtë politikës aktive ku kam takuar shumë njerëz, në takime që ndoshta nuk kanë qenë publike, më thotë diçka tjetër, që të rinjtë janë pjesa më aktive  e shoqërisë. Rinia shqiptare nuk është apatike, indiferente”, tha Basha.

Rikthimi i mundshëm i Lulzim Bashës në krye të PD është artikuluar nën zë edhe para zgjedhjeve lokale, por u bë më i fortë në opinionin publik pas dorëheqjes së Alibeajt.

Mbetet për tu parë se si do të vijojë më tej situata në PD, pasi gjatë ditës së sotme kanë qenë jo të paktë zërat kundër një rikthimi të Bashës në krye të partisë.

 


Shtuar 24.05.2023 17:30