Nga Lutfi Dervishi
Arbsuristanë dhe arbsurdistane!
Mirë se vini në tokën e mrekullueshme të Absurdistanit, një vend ku arsyeja nuk mbahet mend kur ka marrë lejen e zakonshme dhe ku qetësia konsiderohet si një kërcënim ekzistencial për kombin.
Në këtë vend të vogël simpatik, trim, krenar që ka çarë rrugën e historisë me penë në dorë, ekzistojnë jo një, jo dy, por 57 televizone dhe 13 prej tyre i janë dedikuara vetëm lajmeve. Po, po 13 vetëm për “lajme”.
13 është numër ters, por numri i televizioneve me lajme/titra është vetëm maja e ajsbergut.
Nëse ndez TV Absurdistan, mund të shohësh lehtësisht të njëjtit njerëz qe flasin rreth nje tryeze: Këta quhen ekspertë/analistë/komentatorë/kontributorë që nuk dihet se për çfarë kanë studiuar por ama dihet sa kahe kanë ndërruar.
E veçanta mbetet që edhe nëse ftohen çdo ditë apo nëse flasin në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë në dy a tre stacione menjëherë, atyee nuk u mbarojnë kurrë fjalët.
Këta “ekspertë” i zbukurojnë ekranet e Absurdistanit në çdo orë të ditës dhe natës, duke u përfshirë në debate të forta që zgjasin me orë të tëra dhe që në fund e arrijnë objektivin duke mos thonë asgjë.
Televizonet në Absurdistan nuk mbahen gjallë nga reklamat apo programet e blera, por nga “të ftuarit”. I ftuari është “Mbreti” që udhëheq mbretërinë e absurditetit televiziv.
Ju lutem, nxirrni pak makinën llogaritëse. Një televizon që bën “lajme” kërkon minimumi 30 të ftuar në ditë.
Me këto 30 të ftuar mbushet programi i mëngjesit, paradites, drekës, pasdrekës, pasdites, mbrëmjes dhe i mbrëmjes së vonë.
Kjo do të thotë duhen minimalisht 1000 të ftuar në muaj, ose afro 12 mijë në vit vetëm për një televizion.
Shumëzojini me minimumi 10 televizione që ndjekin këtë filozofi të ngjashme të ftuarish, dhe do të bëhen 100 mijë. (Po të kishte Zelenski këtë armate e kishte zbrapsur Rusisë me kohë)
Po, kush janë të ftuarit?
-A zotërojnë ata njohuri të thella me të cilat frymëzojnë kombin?
-A janë ata studiues të dalluar, profesorë, diplomatë të shquar, etalonë të mençurisë që janë gati për të udhëhequr popullin drejt iluminizmit?
-A kanë dijeni/ekspertizë të për një fushë të caktuar?
Jo.
Jo, se nuk ka njerëz të zotë për t’u quajtur ekspertë, por sepse të vërtetët nuk i hyjnë aspak në punë audiencës së mësuar me të njëjtin ushqim televiziv të quajtur absurd.
Në Absurdistan, të ftuarit në shumicë janë një përzierje eklektike e ekspertëve të vetëshpallur dhe e sharlatanëve që e kanë lënë logjikën prej kohësh në bagazh të makinës dhe shkojnë në studiot televizive për të dëgjuar veten.
Me idenë që “ky popull kështu e do”, debati I vërtetë është ulur në ndjenjësen e pasme të makinës, ndërsa timoni është lënë në duart e “mysafirëve”.
Këta të fundit ftohen për të “vrarë” kohën, ndërsa logjika, arsyeja dhe qetësia janë shënjestra e preferuar e tyre.
Sa më i papërgjegjshëm të jesh, aq më shumë i kërkuar do jesh, sa më gojështhurur të tregohesh aq më shumë do dalësh në qendër të vëmendjes, sa më idiot të shfaqesh aq më shumë do i rrisësh të ardhurat e mediave absurdistanase.
Teksa të gjithë fitojnë, viktima është publiku.
Është një spektakël që ndokush e ngatërron me farsën, por nuk është as njëra as tjetra, është ushqimi i përditshëm informativ që u serviret qytetarëve të Absurdistanit.
Ka një shpresë se gjendja mund të ndryshojë. Edhe “të ftuarit” po largohen nga Absurdistani dhe ka një pritshmëri se do të vijë një ditë që qytetarët e Absurdistanit do të dallojnë rëndësinë e thelbit mbi spektaklin, cilësisë mbi sasinë dhe do të mësohen të shijojnë një ligjërim të bukur apo debat me përmbajtje.
Frika është se “të ftuarit” që po largohen nga Absurdistani, do të zëvëndëoshen me “ të ftuar” nga vende të largëta si Tajlanda apo Sri Lanka. Ndërsa Banka Botërore llogarit se shumë shpejt numri i të ftuarve në Televizionet e Absurdistanit do të kalojë numrin e popullsisë së Absurdistanit ku si rregull realiteti ja kalon imagjinatës.
Kështu që, i dashur lexues, nëse ju qëllon që si turist të vizitonin vendin magjepsëse të Absurdistanit, merrni telekomandën tuaj, kushtojini një çast dhe vlerësoni spektaklin që shpaloset para syve tuaj. Të ftuarit mund të vijnë e të ikin, nga një TV në tjetrin, por cirku vijon.
Publicitet, do rikthehemi sërish në Absurdistan pasi shfaqja sapo ka filluar!