U shpall fitues në Vaun e Dejës, Prokuroria e Përgjithshme nis verifikimin për Kristian Shkrelin

Deputetët e PD një muaj më parë kanë kërkuar verifikimin me urgjencë të kandidatit të PS në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli, pasi rezulton se në vitin 2021, kur ka qenë kandidat për deputet nën siglën e PS, nuk ka deklaruar dëbimin e tij nga Italia në vitin 2007, në formularin e dekriminalizimit.

Në vitin 2023 ai ka deklaruar dëbimin, por pa dhënë arsyet e dëbimit, duke fshehur faktin se ai është dëbuar për kryerjen e një vepre penale.

Nga shkresa që ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se Drejtoria e Dekriminalizimit, ka nisur verifikimin e këtij shtetasi.

Ndërkohë për mosdeklarimin e dëbimit në vitin 2021 praktika i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme për veprën penale të falsifikimit të formularëve parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Kujtojmë se Shkreli arriti të fitonte në zgjedhjet lokale në Bashkinë e Vaut të Dejës, ku arriti të grumbullojë 55.78 % të votave, teksa garonte përballë Zef Hilës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”./bw


Shtuar 16.05.2023 20:26