Veliaj shpall fitoren e parë të Qarkut të Tiranës: Sot na kanë dhënë një besim që do të jetë rekord, me 75% të votës për Blerin

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste të Qarkut Tiranës, Erion Veliaj, doli menjëherë nga selia rozë për shpalljen e fituesit të parë të këtyre zgjedhjeve. Ai uroi kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Vorës Blerim Shera për fitoren spektakolare, me mbi 75% të votave, ndërsa tha se me rezultate po kaq mbresëlënëse pritet të shpallen edhe Bashkisë e tjera të Qarkut, një prej të cilave edhe ajo në Kamëz.

“Jam pafundësisht i lumtur që siparin e rezultateve të kësaj nate e hap qarku i Tiranës, me një fitore 75% në Vorë. Vora që prej dy dekadash nuk thyhej, Vora që ishte kthyer për ata që në një bastion ku kishin varur xhaketën, ishin kthyer në një depozitë ku mbusheshin autobusët për protesta. Vora na dha një mesazh 75% që duan të ecin përpara. Sot dua të falenderoj Blerin, kryetarin e sotshëm dhe të nesërmen të bashkisë së Vorës, skuadrën e tij, gjithë ekipin fantastik të Vorës një Parti Socialiste totalisht e rithemeluar, një Parti Socialiste totalisht e rinovuar dhe një Parti Socialiste në Vorë totalisht fituese,” u shpreh Veliaj.
Një falenderim Veliaj e kishte edhe për qytetarët që votuan masivisht për kandidatin socialist e këshillin Bashkiak. “Sot duam të falenderojmë të gjithë qytetarët e Vorës që në këto zgjedhje të njëpasnjëshme, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme, na dhanë çdo herë nga pak besim. Atë besim e kthyem në shumë punë. Pastaj na dhanë pak më shumë besim, bëmë më shumë punë. Sot na kanë dhënë një besim që do të hyjë rekord me 75% të votës për Blerin dhe gjithë skuadrën tonë të Këshillit Bashkiak për ta çuar Vorën gjithmonë e më përpara.

Për ata që votuan ndryshe Veliaj dha këtë mesazh: “Sot dua t’i drejtoj dy fjalë pjesës tjetër 25% që nuk votoi për ne. Ne vërtetë fituam Vorën me 75% po nga nesër kur të gdhijë dielli në Vorë, Bleri dhe PS do i shërbejë 100% të Vorës. Kjo do të thotë që nga zgjedhjet e Vorës asnjë nuk është i humbur.

Edhe atyre do I shërbejmë njësoj pavarësisht bindjeve të tyre”.

“Dua të falenderoj të gjithë bashkëqytetarët e mi të qytetit të Vorës. Zotohem që do u shërbej të gjithëve me përulësi, ashtu siç e kam bërë gjatë gjithë këtij rrugëtimi tim prej një viti si kryetar i Bashkisë së Vorës dhe mezi pres që ta filloj punën që nesër dhe t’u shërbej të gjithëve pa dallim bindje politike. Ju falemidnetit të gjithëve dhe shumë falemidnerit për gjithë këtë besim të madh që keni treguar për mua,” tha Shera.


Shtuar 14.05.2023 21:38