Prokuroria ka hyrë Himarë si një elefant në dyqan qelqurinash

Nga Mero Baze

Arrestimi i Fredi Belerit është një ngjarje më e rëndë se sa krimi i tij. Dhe është i tillë për shkak të ndjeshmërisë që duhet të kemi parasysh për një përfaqësues të pakicës greke në Shqipëri, edhe pse Beleri nuk është një përfaqësues i denjë i tyre. Por ne nuk mund t’ua zgjedhim atyre përfaquesuesit. Enver Hoxha ua pati zgjedh.

Shqipëria jo vetëm që e pranon minoritetin grek si pjesë natyrale të shoqërisë së saj, por ka dhe prirjen për një “diskriminim pozitiv” ndaj tij, për t’i dhënë edhe më shumë të drejta se kanë nevojë, për t’u ndjerë si në shtëpi të tyre.

Një nga diskriminimet pozitive të tyre është dhe fakti që ne kemi dy bashki të pakicës greke, Dropull dhe Finiq, jashtë kritereve sasiore që kanë bashkitë e tjera shqiptare, dhe Bashkinë e Himarës të përzier.

Arrestimi i Fredi Belerit dy ditë para zgjedhjeve, ngjall një debat të rrezikshëm në Shqipëri, lidhur me politikën penale dhe jo me veprën penale.

Jam i qartë që Fredi Beleri blen vota. Do të isha po kaq i qartë edhe nëse nuk do ta kishin kapur me fakte. E kanë bërë historikisht këtë gjithë kandidatët e PBDNJ, madje për fat të keq e kanë bërë në emër të Greqisë, edhe pse mund të mos ketë qenë e vërtetë.

Ka qenë një kohë që blinin gjithçka me viza në politikën shqiptare, dhe politikanët, dhe median. Si të tillë shumë nga figurat periferike që merren me politikë në pakicën greke në Shqiperi, janë të korruptuar në sistemin e të menduarit dhe të vepruarit në Shqipëri. Madje kanë qenë gjithmonë korruptues edhe të shqiptarëve

Nuk jam për tolerimin e kësaj vepre penale, por meqë ai po blinte vota të martë, të mërkurë, të enjte, mund ta ndiqnin deri të dielën, se me siguri do të vazhdonte të thellohej në krim, dhe aty e kishin ditën e henë, mund ta arrestonin. Nuk ka pas ndërmend të arratiset.

Kështu së paku nuk do hidhnin në erë klimën parazgjedhore dhe nuk do përfshinin në një tension të panevojshëm dhe artificial Shqipërinë me Greqinë, në një çështje që edhe pse e kuptojnë, të dy palët janë në vështirësi pa ta pranuar siç është, pasi në të dy vendet ka zgjedhje dhe të dy qeveritë duhet të tregohen “patriote” para popullit të tyre.

Arrestimi dëshmon një linjë pavarësie të  Prokuroriisë , por kjo nuk do të thotë që të përdorësh pavarësinë për të hedhur në erë stabilitetin mes dy vendeve dhe klimën e shkëlqyer të raporteve mes shqiptarëve dhe grekëve. Të vendossh drejtësi nuk do të thotë vetëm të ndëshkosh, por të kujdesesh që vendimi të prodhojë drejtësi dhe paqe.

Fredi Beleri hajdut do ishte dhe të hënën, dhe mund të mos e arrestonin qysh të premte, aq më tepër pas një polemike politike tri ditore mes tij dhe kryeministrit, të cilën tani po përpiqen ta mbivendosin në mënyrë spekulative.

Tani që e arrestuan është mirë ta nxjerrin në ndjekje të lirë, pasi ndëshkimi nuk ka qëllim mbajtjen në burg, por dënimin për atë që ka bërë. Derisa gjykata të shprehet për fajësinë e tij, ai nuk ka pse qëndron në burg.

Veprimi i Prokurorisë së Vlorës është një akt ndoshta i drejtë ligjor, por Prokuroria  ka hyrë në këtë çështje si një elefant në një dyqan qelqurinash, dhe ka bërë më shumë dëm se sa drejtësi. Dhe e ka bërë këtë pa ju dashur askujt, përveç Fredi Belerit, të cilit tani dhe vjedhja e votës do t’i quhet heroizëm, pasi e ka bërë në një shtet tjetër, jo në Greqi.

Ndaj tani drejtesia duhet t’i dalë zot asaj që ka bërë, duke dëshmuar se ka prova të forta që justifikojnë këtë dëm të madh që i ka bërë paqes publike me pakicën greke dhe vendin fqinj Greqinë. Ata duhet të jenë bindës në prova dhe në gjykim, ndryshe duhet të gjykohen dhe paragjykohen ata si provokatorë të këtij debati krejt të panevojshëm, duke na i shndërruar hajdutët, në heronj të rremë nacionalistë.


Shtuar 12.05.2023 19:01