Serialit fenomen “Doktori i mrekullive”, i cili po transmetohet aktualisht edhe në Shqipëri, i ka ardhur fundi. Faqja zyrtare e serialit ka njoftuar se në datë 27 maj në Turqi do të transmetohet finalja e këtij seriali që theu rekorde shikueshmërie. Shkak për këtë vendim është bërë aktori Taner Olmez, ose siç e njohim me emrin Ali Vefa. Aktori është shprehur se është lodhur nga ky rol pasi ka patur peshën kryesore dhe për këtë arsye nuk mund të vazhdojë më. Sigurisht lajmi i ka mërzitur e zemëruar fansat duke qenë se finalja nuk pritej dhe shikueshmëria e serialit vazhdonte të ishte e lartë.
Në faqjen zyrtare të serialit shkruhet: “Kemi ardhur në fund me historinë tonë, ku do të tregojmë se individët me autizëm kanë të drejtën të jetojnë si të gjithë ne. Aliu ynë u rrit dhe i bëri ëndrrat realitet. Ne qeshëm me të, lotuam me të dhe kuptuam çdo të thotë të jesh njeri. Është koha t’i themi lamtumirë me të gjithë mrekullitë që ka bërë. Doktori i Mrekullive do të jetë me ju për herë të fundit në 27 maj. Ju falenderojmë dhe jemi mirënjohës”.