Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka humbur hallën e saj. Lajmin për ndarjen nga jeta e ka dhënë vetë deputetja përmes një postimi në Facebook. Tabaku shkruan se “Nona Kija do mbahet mend nga të gjithë si gruaja e fortë e Dervish Hatixhesë që rriti e vetme 6 fëmijë, që ia hapi derën kujtdo dhe gjatë regjimit komunist kur shumë dyer u mbyllën.”
Mesazhi i plotë që ndan Jorida Tabaku:
Sot, u nda nga jeta Nona Kija! Iku një copëz e pakthyeshme e fëmijërisë e jetës time! Nona Kija do mbahet mend nga të gjithë si gruaja e fortë e Dervish Hatixhesë që rriti e vetme 6 fëmijë, që ia hapi derën kujtdo dhe gjatë regjimit komunist kur shumë dyer u mbyllën!
Rukije Skifteri, bija e Ali dhe Bakushe Tabakut, për mua qe guri i mbetur i fëmijërisë time, vendi im i lumtur! Shtëpia e saj më rriti mua e kushërinjtë e mi që vraponim nga avllia në avlli, me pemët erëmirë, me lulet e shumta me oborrin me pllaka me derën e hapur çdo ditë e me oxhakun e vjetër që na mblidhte netëve të dimrit!
Nuk kam kujtim fëmijërie ku ajo mos jetë, e nuk ka pasur kënaqësi më të madhe kur më thoshte: i them njerëzve jam halla e Joridës!
Një zonjë e fortë Tirone që nuk ka reshtur së luftuari gjatë gjithë jetës së saj dhe së besuari përherë se Mirësia e mposht të keqen!
Ajo më mësoi për fenë e më tregoi historitë e bukura e të trishta të familjes! Me një lloj elokuence që nuk e gjen kund as sot, ajo fliste me këdo e papërtuar, gjithmonë në shërbim, me trupin e imët e mërhamonin e bardhë nuk e thoshte kurrë një fjalë të keqe! Soji është soj më thoshte, s’duhet me e prish zemrën!
Ajo iku sot e mori me vete dhe një copëz timen, e të fëmijërisë time! Lamtumirë Nona Kije! Qofsh e amshuar pranë Zotit që aq shumë e predikove!
/Albeu.com/