Mori peng të dashurën për një javë dhe e dhunoi me sende të forta, arrestohet 31-vjeçari në Tiranë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kryeqytet, ku një 31-vjeçar i hoqi lirinë për një javë bashkëjetueses së tij dhe e dhunoi me sende të forta.

Polica bën me dije se ka vënë në pranga 31-vjeçarin Gleard Gusholli, dhe 4 persona të tjerë, të cilët nuk kallëzuan krimin, përkrahën autorin e krimit dhe kryen veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e Gushollit policia gjeti dhe sekuestroi  mjete për konsumimin e lëndëve narkotike dhe lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Uniformat blu pas  informacioneve të siguruara për një shtetas që po mbante me forcë bashkëjetuesen e tij, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Locked”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Gleard  Gusholli, 31 vjeç, Besmir Nurçellari, 36 vjeç, Arjan Sheta, 41 vjeç, Bledi Kateshi, 27 vjeç, Erlind Kateshi, 42 vjeç, të pestë banues në Tiranë.

Gleard  Gusholli i ka hequr lirinë për një javë, bashkëjetueses së tij, të cilën e ka dhunuar vazhdimisht, me sende të forta, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”.

Shtetasit Besmir Nurçellari dhe Arjan Sheta, nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë penguar zbulimin e së vërtetës duke tentuar të fshehin provat, ndërsa shtetasit Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi,, (vëllezër), kanë përkrahur autorin e krimit, duke e larguar atë nga vendi i ngjarjes.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete që përdoren për konsumimin e lëndëve narkotike, mbetje të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit, si dhe sende të forta me të cilat dyshohet se ai ka dhunuar 28-vjeçaren.

28-vjeçarja ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/