Egnatia duket e kënaqur nga puna që po bën Edlir Tetova më krye të stolit të rrogozhinasve dhe për t’i dhënë një sinjal pozitiv skuadrës në këtë fundsezoni ku po përpiqet të ruajë pozitat në vendin e tretë, njofton rinovimin e kontratës.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, klubi bardhjeshil thekson se Edlir Tetova rinovon kontratën me klubin dhe për 3 sezonet e ardhshme. Në njoftim theksohet gjithashtu se puna e mirë në krye të ekipit nga trajneri Tetova ka bërë që presidenti t’i besojë projektin ambicioz të nisur në fillim të sezonit.
Këtë fundjavë Egnatia sfidon Tiranën kryesuese nga e cila është 8 pikë larg ndërsa rinovimi me Tetovën është edhe një sinjal shtesë për planifikimin afatgjatë që ka klubi edhe për të ardhmen, duke lënë të kuptohet se do të vazhdojë të investojë për ta mbajtur skuadrën në nivele të larta.
Momentalisht, Egnatia duhet t’i luajë të gjitha ndeshjet e si pritëse në një stadium neutral dhe me dyer të mbyllura ndërsa në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë do të sfidojë Vllazninë./Albeu.com/