Zëri i Amerikës: 87% e shqiptarëve pohojnë se korrupsioni është problemi kryesor në vend

Në Tiranë, Instituti Republikan Ndërkombëtar sapo ka publikuar një anketim, nga del se pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë renditën shtrenjtimin e jetesës dhe korrupsionin si shqetësimet e tyre më të mëdha.

Ata shprehen se demokracia shqiptare nuk ka përparuar sa duhet, dhe se janë të shqetësuar për emigrimin e shtuar kohët e fundit.

Zëri i Amerikës: Zoti Fluharty! Instituti Republikan Ndërkombëtar sapo ka publikuar një anketim të opinionit publik në Shqipëri mbi shqetësimet kryesore, që kanë qytetarët përpara zgjedhjeve vendore. Cilën do të veçonit ju si gjetjen kryesore, që iu ka bërë më shumë përshtypje?

John Fluharty: Para të gjithash, faleminderit dhe është kënaqësi të jem me Zërin e Amerikës. E vlerësoj këtë mundësi. Instituti Republikan Ndërkombëtar ka kryer anketimin e parë kombëtar këtu në Shqipëri në fund të janarit dhe nga fillimi i shkurtit. Ne po pyesim njerëzit se çfarë mendojnë për çështje në nivel kombëtar dhe për zgjedhjet vendore. Nga anketimi doli se qytetarët janë të shqetësuar për punësimin, ekonominë, si dhe mbi përgjegjësitë që kanë qeveria dhe partitë për nevojat e tyre. Korrupsioni është shqetësim kryesor për qytetarët shqiptarë. Mendimi im mbi gjetjet kryesore është se njerëzit ndjehen të bllokuar; ata shqetësohen për ekonominë dhe korrupsionin si dhe për ata që shërbejnë në qeveri dhe nëpër partitë politike, por nga ana tjetër kërkojnë po prej tyre që të gjejnë dhe ofrojnë zgjidhjet e problemeve. Edhe përgjegjësitë edhe zgjidhjet ata i shohin tek politikanët. Pra, qytetarët mbështesin demokracinë dhe kjo ka shumë rëndësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Fluharty! Në qendër të vëmendjes së qytetarëve janë korrupsioni i përhapur, ekonomia dhe pushteti vendor, sipas anketës. 87 përqind e tyre pohuan se korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri. Si e komentoni këtë rezultat?

John Fluharty: Po i kthehem mendimit se qytetarët ndjehen të bllokuar. Ata janë të shqetësuar se për çfarë punojnë partitë dhe qeveria. Ka disa shqetësime në këtë temë mendoj. Qytetarët janë vendosur midis korrupsionit në nivel vendor dhe korrupsionit në nivel kombëtar. Me korrupsionin kombëtar ata kanë parasysh tenderat, burimet publike si përdoren ato. Është e qartë se korrupsioni është çështje kombëtare.

Zëri i Amerikës: Një numër jo i vogël personash me rekorde të vjetra kriminale dhe persona të tjerë të dyshuar për korrupsion kanë kandiduar në politikë dhe në pushtet vendor. Si e komentoni faktin që persona të tillë përpiqen ta përdorin politikën si një strehë për problemet e tyre me drejtësinë?

John Fluharty: Mendoj se po pyesni njeriun e gabuar për këtë çështje. Kjo është një pyetje që duhet t’u përgjigjen votuesit. Ka dalë edhe nga anketimi që partitë politike duhen decentralizuar. Qytetarët duhet t’u thonë partive se kush janë kandidatët e përshtatshëm për ta. Duhet më shumë decentralizim dhe më shumë diskutim në nivel vendor. Qytetarëve u duhen dhënë më shumë mundësi, që t’i përgjigjen edhe pyetjes që më bëtë.

Zëri i Amerikës: Pjesa dërrmuese e të anketuarve, 79% e të rriturve, pohuan se çmimet e larta dhe kostot e jetesës janë çështje kryesore të vendit. Pjesa më e madhe pohojnë se gjendja ekonomike ka mbetur njëlloj ose është përkeqësuar. Sa ndikojnë shtrenjtimi i jetesës dhe varfëria në Shqipëri tek frenimi ose angazhimi politik i qytetarëve?

John Fluharty: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Mendoj se qytetarët duhet t’u bëjnë kandidatëve dy pyetje: A jeni pjesëtar i një partie të qendrës së majtë apo i një partie të qendrës së djathtë? Dhe: Sa e rëndësishme është kjo për ju dhe sa do të ndikojë kjo në mënyrën se si ju do të drejtoni bashkinë tonë? Partitë politike duhet të identifikojnë qartë ideologjinë përkatëse, gjë që aktualisht është shumë e rëndësishme në Shqipëri. Forcat politike i bashkangjitin politikat bashkiake sipas ideologjisë. Ka njerëz që diskutojnë thjesht se cila prej palëve është më e korruptuar se tjetra. Anketimi tregon se njerëzit në komunitete duan të diskutojnë mbi çështje bashkiake; ekonomi, krijimi i vendeve të punës, infrastruktura, uji i pijshëm. Ata duhet t’i pyesin kandidatët se si konkretisht do të zgjidhë ai këto çështje me detaje teknike. Varfëria në përgjithësi ka nevojë për zgjidhje afatgjata, por partitë kryesore duhet të flasin për këtë, duke nisur nga detaje të thjeshta që u interesojnë qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Sipas anketimit, 53% e qytetarëve mendojnë që drejtuesit bashkiakë po punojnë pak ose aspak për të trajtuar nevojat e banorëve. Janë rikandiduar afro ¾ e bashkiakëve aktualë dhe opozita u kthye në zgjedhjet vendore. A keni ndonjë vlerësim mbi pjesëmarrjen e pritshme në votime?

John Fluharty: Votuesit na thanë në anketimin tonë se mbi 70 për qind mund të marrin pjesë në votime. Ata na pohuan në anketim se duan një pushtet vendor, që të punojë për ta dhe të mos shohë shumë nga kryetari i partisë ose nga partia kombëtare, ose nga dikush që jeton në Tiranë. Kjo është shumë domethënëse. Qytetarët duan që zyrtarët vendorë dhe partitë politike vendore (degët e partive) të dëshmojnë se kush janë ata në raport me komunitetet vendore.

Zëri i Amerikës: Një numër i madh qytetarësh, nga të gjithë moshat dhe profesionet, madje edhe nga të gjithë shtresat dhe nivelet e jetesës po largohen nga Shqipëria. A keni ndonjë koment për këtë dukuri, që shprehet edhe në anketimin tuaj si një ndër shqetësimet kryesore?

John Fluharty: Mendoj se emigrimi është vërtet një shqetësim i madh, sepse ndikon në të gjithë ekonominë, tek forca punëtore, kompanitë kërkojë punëtorë në degët e tyre. Kjo dukuri ndikon po ashtu tek demokracia, tek numrat e votuesve, ndikon tek mundësitë për të ndryshuar, ndikon tek zërat që ngrenë shqetësimet, dhe mendoj se është një problem i vërtetë.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri ekziston ende një shtresë e konsiderueshme nostalgjikësh të diktaturës komuniste, ndërkohë që pjesa dërrmuese e të anketuarve (78% e tyre) shprehen se demokracia është forma më e mirë e qeverisje. Çfarë mendoni për këtë mospërputhje?

John Fluharty: Mendoj se në shifrat që përmendët mungon diçka. Një numër i madh njerëzish na pohuan se ata nuk e ndjejnë që demokracia po përparon mjaftueshëm në Shqipëri. Ata duan më shumë. Ju keni keni këtu breza që kanë jetuar komunizmin, që kanë mënyrën e tyre se si e shohin jetën. Pjesa më e madhe shpresojnë tek demokracia, por problemi më i madh që ndeshet, është numri i atyre që thonë se demokracia nuk ka ecur mjaftueshëm përpara dhe se si Shqipëria ta kapërcejë këtë boshllëk. Duhet fuqizuar sistemi demokratik dhe të sigurohemi që qytetarët të gjejnë zgjidhje për nevojat e tyre. Nuk mund të jenë gjysma demokratë, gjysma komunistë, sepse janë këndvështrime shumë të kundërta për botën.

Zëri i Amerikës: Një pjesë e madhe e qytetarëve shprehen në anketë se kandidatët nuk i frymëzojnë, nuk i tërheqin, se vota e tyre nuk do të ketë rëndësi dhe dyshojnë se parregullsitë në zgjedhje do të përsëriten njëlloj si në zgjedhjet e mëparshme. OSBE/ODIHR ka vërejtur shitblerjen e votës, presione dhe shantazhe në zgjedhjet e kaluara. Si e komentoni mosbesimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor?

John Fluharty: Demokracia është një propozim me dy rrugë. Ajo kërkon që qytetarët të shprehin nevojat e tyre, dhe të kërkojë partive që të mbajnë përgjegjësi në përmbushjen e këtyre nevojave. Votuesit shkojnë në zgjedhje. Politikanët duhet të mbajnë premtimet që kanë bërë. Ky raport prishet kur qytetarët pranojnë ryfshet dhe kur kandidatët pranojnë ryshfet. Do të ishte një përfitim afatgjatë për qytetarët, nëse bëhen bashkë dhe të thonë “Jo më! Ne nuk e bëjmë më këtë!”. Edhe partitë politike duhet të kenë një përgjigje për këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Zoti Fluharty! Ju faleminderit! /VOA/


Shtuar 12.04.2023 20:55