Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të miratojë plotësimin e vendeve të mbetura bosh në Parlament si pasojë e kandidimit për kryetarë bashkie në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ajo që shikohet nga lista është se dy emrat në radhë kanë refuzuar.
Pas largimit të Benet Becit, i cili kandidon për kryebashkiak në Shkodër nën siglën e PS, Ilir Beqja i cili ka qenë në radhë, e ka refuzuar mandatin e deputetit. Kështu, sipas rendit të listës së KQZ, mandatin do ta marrë Frrok Gjini.
Një situatë e ngjashme është dhe në listën e Partisë Demokratike, ku pas largimit të Zef Hilës që do të kandidojë për kreun e Bashkisë së Vaut të Dejës në radhë ishte Bardh Spahia, i cili po kandidon për Bashkinë e Shkodrës.
Pas refuzimit të mandatit nga ana e Spahisë, vendin në Parlament pritet ta marrë Lodovik Hasani.