Një shtetas i Serbisë ka sulmuar një zyrtar të Policisë së Kosovës dhe i ka shkaktuar lëndime trupore.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ku thuhet se incidenti ka ndodhur në pikën e kalimit kufitar në Jarinjë, të premten, rreth orës 16:30.
Siç thuhet në komunikatë, i dyshuari me inicialet N.T., shtetas i Serbisë, ka tentuar të hyj në Kosovë “pa dokumentacionin e nevojshëm”.
Atij i është refuzuar hyrja nga autoritetet policore dhe më pas “ai ka filluar të fyej zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në pikën e kalimit kufitar” në Jarinjë.
“Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Polici i lënduar është dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Sipas policisë, lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “sulm ndaj personit zyrtar”.
I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lidhur me rastin ka reaguar Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, e cila përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se personi i përfshirë në incident është “Nikolla Todoroviq, mjek i punësuar në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicë të Veriut”.
Siç thuhet në komunikatën e kësaj zyre, Todoroviq “është ndaluar sot në vendkalimin Jarinjë, teksa ishte duke vozitur fëmijët e mitur drejt komunës së Skenderajt”, për një festë fetare ortodokse.
“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës e kanë ndaluar për shkak të mungesës së dokumentacionit për fëmijët, i kanë nxjerrë fëmijët nga vetura dhe para tyre e kanë ngacmuar Todoroviqin, dhe kur ai i ka kundërshtuar ata e kanë marrë në mbajtje”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.
Kjo zyrë ka bërë të ditur se tashmë ka angazhuar një avokat për të arrestuarin dhe e ka cilësuar incidentin si “një rast tjetër i torturës nga Policia e Kosovës, e cila çdo ditë kërkon justifikime për të ngacmuar dhe ndaluar serbët”./REL/