Qyqja me çafkë (Clamator glandarius) është rikthyer së fundmi në vendin tonë për folezim.
Sipas Atlasit Evropian të Shpendëve Folezues (EBBA2) popullata folezuese e këtij lloji në Shqipëri është raportuar në nivelet e 1-9 çiftesh dhe vetëm në zonën ligatinore Shkumbin-Seman dhe atë të Drinos. Kjo gjetje e jona e fut edhe Vjosë-Nartën në territoret e folezimit të këtij lloji.
“Kërkuesit tanë, për herë të parë e hasën çiftin e qyqes me çafkë në fillim të muajit prill dhe më tej territori është vizituar disa herë deri në fillim të muajit maj duke e hasur çiftin në çdo vizitë kërkimore. Në një rast qyqja me çafkë u vërejt fare pranë folesë së një laraske, që me shumë gjasë është një prej foleve ku ka lëshuar së paku 1 vezë, pasi sikurse dihet, të dy llojet e qyqeve që hasen në vendin tonë janë parazitare të foleve të shpendëve të tjerë (kryesisht të llojeve të familjes së korbave).
Kjo gjetje dëshmon edhe njëherë diversitetin e lartë të shpendëve në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë, dhe veçanërisht në habitatet tokësorë gjysmënatyralë që shtrihen kryesisht në pjesën veri-perëndimore”, thekson Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.