“Mos votoni të shpallur non-grata”, Meta i përgjigjet Kim: Koalicioni ynë do të sjellë pluralizmin

Kreu i Partisë Ilir Meta foli në lidhje me deklaratën e ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e cila para disa ditësh kërkoi nga shqiptarët që të mos votojnë për persona të shpallur “non grata”.

Meta tha pas një takimi me ish-kryeministrin Sali Berisha në selinë blu, se ata kanë kandidatët që përfaqësojnë vlerat më të mira të qytetarisë në vend.

“Kandidatët që janë zgjedhur nga opozita përmes procesit më të legjitim dhe më demokratik që ka njohur Shqipëria jonë e re, janë kandidatë që përfaqësojnë vlerat më të mira të qytetarisë dhe kanë vizionin më të qartë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ata janë kandidatë të përkushtuar për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë dhe për këtë arsye ata do të fitojnë. Koalicioni ynë do të sjellë pluralizmin në të gjitha bashkitë dhe ne do të rikthejmë transparencën, llogaridhënien dhe interesin publik”, tha Meta.


Shtuar 7.04.2023 12:10