PS mbledh kryesinë, Gjiknuri zbardh diskutimet: Jo më tubime të mëdha dhe shpenzime për fushatë, pala tjetër s’ka program

Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga nisja zyrtare e fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit, Partia Socialiste ka mbledhur sot kryesinë.

Damian Gjiknuri foli pas mbledhjes dhe deklaroi para gazetarëve se programi i socialistëve në këto zgjedhje do të përqendrohet në progresin dhe zhvillimin e vendit.

Gjiknuri u shpreh se pala kundërshtare nuk ka program, ndërsa i pyetur për deklaratën e Ramës se do të mbjellin pemë dhe nuk do të shpenzojnë për fushatë, u shpreh se ky është një mesazh që duan t’i japin qytetarë.

Gjiknuri: Kemi menduar të mos bëjmë aktivitete të mëdha masive. Nuk duam të bërtasim. Kemi menduar një strategji tjetër. Javën tjetër do të fillojmë aktivitete. Do të synojmë aktivitete më të qeta, takime më të vogla. Ata janë vetë të zhytur në rublat dhe shqiptarët janë të qartë, por strategjia jonë është e ndërtimit të së ardhmes dhe progresit që ka bërë vendi. Duam sigurinë dhe zhvillimin e vendit. Pala tjetër nuk ka asnjë program. Veçse PS nuk do shpenzojë në këtë fushatë, nga ana tjetër duam të japim mesazhin se mbjellja e pemës është zhvillimi i jetës. Gjithmonë ka vend për mbjellje të pemëve. Logon dhe sloganin tonë politik do të bëjmë publik, por do t’i mëshojmë mesazhit të progresit dhe zhvillimit të vendit.

Partia Socialiste, në 44 bashki vendosi të garojë me kryetarët aktualë, duke u besuar një mandat tjetër. Asnjë ndryshim nuk kishin listat e kandidatëve për bashkitë në qarkun e Tiranës, të Beratit, Korçës, Durrësit dhe Lezhës./Albeu.com/


Shtuar 7.04.2023 09:46