Rusia po rrënohet para syve të Vladimir Putinit

Nga Mark Toth & Jonathan Sweet “The Hill

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pavarësisht nëse ka qenë apo jo e vërtetë, nuk ka asnjë imazh në historinë e regjistruar që t’i afrohet çmendurisë së presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, sesa ajo e perandorit Neron që kundronte nga distanca Zjarrin e Madh të Romës që shkatërroi 70 për qind të qytetit antik në vitin 64 të Erës Sonë.

Ndërsa “operacioni special ushtarak” i Putinit po “digjet” rreth tij, forcat ruse në Bakhmut, Andriivka, Kreminna, Vuhledar dhe qytete të tjera të vogla përgjatë frontit lindor në Donbas janë në pikën e kolapsit. Ajo që po shkatërrohet nuk është vetëm Ukraina. E gjithë Rusia ka filluar të rrënohet për shkak të fiksimit miop të Putinit për pushtimin e qyteteve të parëndësishme që i sheh në një hartë.

Bakhmut është një nga emblemat e obsesionit të Putinit. Gabimet e mëdha ushtarake që po bëhen atje po përsëriten në të gjithë frontin lindor. Kostot në rritje për Rusinë nuk kufizohen vetëm tek humbjet në Ukrainë. Ato janë shkatërruese, të gjera dhe të pafundme.

Kostoja më e lartë është në jetë njerëzor. Në shkurt, Ministria britanike e Mbrojtjes, vlerësoi se Moska kishte “pësuar” deri në atë moment më shumë se 200.000 viktima, përfshirë deri në 60.000 të vdekur. Duke pasur parasysh rënien e popullsisë së Rusisë prej 146 milionë banorësh, ky nivel humbjesh është i frikshëm.

Dhe ai vetëm sa po përkeqësohet. Të shtunën e kaluar, po kjo ministri vlerësoi se Rusia ka grumbulluar deri në 30.000 viktima në përpjekje për të pushtuar 41 km2 në qytetin Bakhmut. Shkalla e kostove – qoftë tek trupat, pajisjet ushtarake apo municionet – vetëm atje është befasuese.

Në 9 muaj, forcat e Putinit kanë avancuar vetëm 24 km nga Popasna në Bakhmut në perëndim. Pra 2000 rusë të vrarë për 1.6 km. Sa për krahasim, 708 km është

distanca nga Bakhmut në Kiev. Ndaj ushtria ruse do të pësonte 880.000 viktima të tjera vetëm për të arritur në Katedralen e Shën Sofisë në zemër të kryeqytetit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Bakhmut është vetëm 1 nga 4 betejat kryesore të vazhdueshme në Donbas. Siç dokumentohet çdo ditë në llogarinë e tij në Twitter nga Chuck Pfarrer, një ish-marins i forcave speciale, Indications &Warnings, Putin po humb po aq shpejt trupat e tij në secilën prej këtyre betejave.

Thuhet se 600 rusë u vranë në aksion në Andriivka vetëm më 27 mars. Shkalla e humbjeve materiale nga rusët është po aq e lartë. Më 24 mars, Pfarrer vuri në dukje se forcat ruse u zmbrapsën në sulmet në Serebryansk dhe Bilohorvika përgjatë vijës së betejës në Kremina. Ndërkohë në fillim të ofensivës pranverore të Putinit në Vuhledar, u humbën mbi 100 tanke ruse. Si komandant i kohës së luftës, Putini nuk ka mësuar asgjë në luftën 13-mujore në Ukrainë. Kremlini po përdor të njëjtën strategji si në Kiev duke “përparuar vazhdimisht me kolona drejt pritave”.

Në total Ukraina vlerëson se Putin ka humbur deri tani 3.595 tanke, gati 7.000 automjete të blinduara luftarake, mbi 2.638 artileri, 523 raketahedhës të shumëfishtë, 277 sisteme të mbrojtjes ajrore, 305 avionë dhe 291 helikopterë. Dhe për çfarë? Një përparim 24 km në Donbas.

Me këtë ritëm, forcave të Putinit do t’u duhen gati 22 vjet për të shkuar në Kiev nga Bakhmut. Koha dhe jeta nuk janë kostot e vetme për Rusinë. Ndërkohë në ndjekje të egos së tij Putin po “djeg”’ pothuajse çdo aspekt të vendit të tij. Rusia është në recesion që nga nëntori i vitit 2022. PBB ka rënë me 4 për qind. Por edhe kjo shifër është e gënjeshtërt. Sepse vetëm në tetor 2022 të ardhurat nga nafta dhe gazi ranë me mbi 20 për qind.

Mungesat u kompensuan disi nga shitjet e naftës dhe gazit me ulje të madhe tek Kina dhe India. Megjithatë, edhe kjo mundësi po zbehet pasi çmimi bazë i naftës së papërpunuar ka rënë me kalimin e kohës në 80 dollarë për fuçi. Ndikimi mbi ekonominë ruse ka qenë i menjëhershëm. Në janar të këtij viti, të ardhurat ruse nga eksporti i naftës ranë me 40 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, sanksionet perëndimore vazhdojnë të dëmtojnë rëndë zinxhirët e furnizimit të komplekseve industriale dhe ushtarake të Rusisë. Departamenti i Thesarit në SHBA ka vënë në shënjestër mbi 600 individë, subjekte dhe “ofrues të vendeve të treta” të lidhur me Rusinë. Ndërsa Moska ka gjetur disa mënyra për

të shmangur sanksionet duke u mbështetur në vende si Kazakistani për të pasur qasje në komponentë kritikë si gjysmëpërçuesit, kostoja kryesore e mbajtjes së zinxhirit të furnizimit të vendit është varësia gjithnjë e më e madhe ekonomike nga Pekini.

Po ashtu, Putin po shkatërron aftësinë e ardhshme ekonomike të Rusisë për të pasur inovacione dhe për konkurruar në tregun global të pasluftës. Sepse po pëson jo vetëm humbje burimesh, por edhe largim të më të arsimuarve. Edhe nëse Putini do të fitonte luftën e tij në Ukrainë, Rusia do të jetë e humbur ekonomikisht për dekadat e ardhshme.

Paradoksalisht, në dëshpërimin e tij për të zhdukur pavarësinë kombëtare të Ukrainës, Putini po shet në mënyrë irracionale pavarësinë e vendit të tij. Siç u dëshmua në mënyrë të përsëritur gjatë vizitës së fundit të presidentit kinez Xi Jinping në Moskë, Pekini po fillon ngadalë të nënshtrojë plotësisht pavarësinë e Rusisë, ekonomikisht, ushtarakisht dhe diplomatikisht.

Kërkesat dhe qëndrimet e Xi gjatë samitit, duhet të kenë qenë poshtëruese realisht për Putinin, që ra dakord të zëvendësonte rublën ruse me juanin kinez në tregtinë me Jugun Global. Pavarësisht nga gëzimi simbolik, Xi nuk ofroi asgjë nga substanca ushtarake që do të ndryshonte dukshëm trajektoren e luftës në Ukrainë.

Siç vuri në dukje profesori i Kolegjit Mbretëror në Londër, Sam Greene, efekti kryesor i vizitës 3-ditore të Xi në Moskë është “dominimi tashmë i plotë i Kinës mbi Rusinë”. Putini beson verbërisht se ai ka nisur të krijojë një botë shumë-polare duke pasur Xi Jinping si një partner të barabartë.

Por në realitet, ai vetëm sa po bën të mundur që kontrolli mbi botën të jetë një garë midis 2 fuqive – Pekinit dhe Uashingtonit – ndërsa Putini qëndron mënjanë me po aq ndikim sa Benito Mussolini kishte luajtur në Luftën e Dytë Botërore, pra si në violinë të dytë për Gjermaninë naziste.

Pra Putin si një burrështetas, nëse ka ekzistuar ndonjëherë vërtetë si i tillë, është zhdukur.

Po ashtu janë zhdukur shumë nga planet e tij madhështore për një Rusi të ringjallur ekonomikisht: Zgjerimi i shpejtë i vlerës ekonomike të Rrugës së Detit të Veriut.

Dominimi i Polit të Veriut. Duke kontrolluar, në mos frenuar forcimin e NATO-s në Evropë. Diversifikimi i ekonomisë ruse, në mënyrë që Moska të mos varet më nga të qenit “pika e karburantit” e botës. Në vend të kësaj, Putini është duke i shktërruar që të gjitha për shkak të një nevoje delirante e të tepruar për të fituar në Ukrainë.

A ia vlen vërtet të shesësh Moskën tek Xi Jinping, në përpjekje për të pushtuar Bakhmut dhe për të mposhtur Zelenskyn në një ndeshje inati të egos me të vërtetën? Putini beson dukshëm se po, dhe si një Neron i kohëve moderne, ai vazhdon të zhytet në kënetat e Donbasit ndërsa Rusia po “digjet” jashtë kontrollit të tij. /albeu.com

Shënim:Mark Toth, ekonomist dhe sipërmarrës, ish-anëtar i bordit të Qendrës Botërore të Tregtisë. Jonathan Sweet, kolonel në pension i ushtrisë amerikane.


Shtuar 31.03.2023 12:19