Dhunoi për vdekje 52-vjeçarin pasi vodhi dy pula, burg për autorin në Berat, avokati: Do ta apelojmë vendimin

Bjorsi Shushari, 22-vjeçari që rrahu për vdekje Lefter Briskun pasi ky i fundit kishte hyrë në banesën  të riut për të vjedhur pula ka dalë para Gjykatës.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 26 shkurtit.

52-vjeçari Lefter (Krenar) Brisku kishte hyrë në shtëpinë e Shusharit dhe u pikas nga ky i fundit, i cili e rrahu për vdekje.

22-vjeçari mbërriti  në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat nën masa të rrepta sigurie dhe seanca zgjati rreth 1 orë.

Mësohet se prokurori i çështjes Elidon Hysenaj ka kërkuar nga gjykata vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të 22-vjeçarit, pas vdekjes së Briskut në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurisë “arrest me burg” pa afat.

Pasi ka dëgjuar edhe palën akuzuese por edhe atë mbrojtëse që e ka cilësuar ngjarjen e ndodhur në kushtet e një vetëmbrojtje të nevojshme, duke deklaruar se klienti i tij ishte trembur kur kishte parë hajdutin në shtëpi dhe ishte përleshur me të, gjyqtarja Albana Misja,e ka cilësuar “të ligjshëm” arrestimin e Bjorsi Shusharit dhe ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat.

Avokati i të riut tha se klienti i tij ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtës dhe se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës, e cila caktoi sot masën e sigurisë “arrest me burg”.

“Ne deklaruam se ai ka konsumuar nenin 19 të Kodit Penal, atë të vrasjes në kushtet e mbrojtës së nevojshme të personit. Nga provat dhe faktet, plotësoheshin të gjitha kriteret që ai të marrë pafajësinë. Në rastin konkret u bë një debat i fortë mes akuzës dhe mbrojtjes së tij, për problemin nëse janë tejkaluar kufijtë e nevojshëm ose jo, dhe shkaku kryesor sipas nesh nuk ka qenë se klienti që unë mbroj e ka sulmuar me mjete të forta, të cilat përbëjnë tejkalim të masës së mbrojtjes së nevojshme, por për këtë arsye gjykata nuk e mori në konsideratë dhe për shkak se kemi një viktimë, dhe s’kemi arsye tjetër, dhe për këtë ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg. Ne do ta apelojmë këtë vendim dhe jemi të bindur se vepra që ka kryer nuk përbën rrezikshmëri shoqërore”, tha avokati./Albeu.com/


Shtuar 7.03.2023 12:40