Marianne Williamson, kandidatja e parë demokrate që sfidon Biden për zgjedhjet e 2024

Shkrimtarja Marianne Williamson, njoftoi zyrtarisht të shtunën kandidimin për Presidente, duke u bërë demokratja e parë që sfidon zyrtarisht Presidentin Joe Biden për zgjedhjet e vitit 2024.

“Nga sot, unë jam kandidate për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara”, tha ajo në çeljen e fushatës në kryeqytetin e vendit.

70- vjeçarja, këshilltarja shpirtërore e dikurshme e Oprah Winfrey-t, duket se do të bëjë opozitë simbolike – një tregues kjo se sa të bashkuar janë demokratët rreth Joe Biden-it.

Fushata e zonjës Williamson përfshin slogane si: “Një fillim i ri” dhe “Trazojeni sistemin”.

Ajo planifikon të bëjë fushatë në shtetet me votime të hershme në kalendarin zgjedhor për vitin 2024, përfshirë Nju Hempshërin, që kërcënon të sfidojë një plan të mbështetur nga Presidenti Biden dhe Komiteti Kombëtar Demokratik që gara për nominimet të fillojë në Karolinën e Jugut.

Joe Biden, 80 vjeç, është presidenti më i vjetër në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të ishte 86 vjeç në fund të një mandati të dytë.

Shumica e njerëzve në Shtetet e Bashkuara – madje edhe shumica e demokratëve – thonë se nuk duan që ai të kandidojë përsëri, sipas një sondazhi nga Qendra për Kërkime për Çështjet Publike të Associated Press-NORC.

Presidenti pritet të njoftojë në javët e ardhshme se do të kandidojë sërish.

Zonja e Parë Jill Biden i tha kohët e fundit agjencisë Associated Press se presidentit nuk i mbetej për të bërë asgjë më “shumë” veçse të zgjidhte një kohë dhe vend për të shpallur ambicien e tij për t’u rizgjedhur.

E lindur në Teksas, por me banim në Beverly Hills, Kaliforni, zonja Williamson është autore e më shumë se 10 librave. Në vitet 1980, ajo hapi “Qendrën për të Jetuar” në Los Anxhelos dhe më vonë në Nju Jork, në mbështetje të personave me HIV dhe AIDS. Ajo drejtoi një fushatë të pasuksesshme si kandidate e pavarur për të qenë përfaqësuese e Kalifornisë në Kongres në vitin 2014 dhe mbështeti Senatorin e Vermontit Bernie Sanders në vitin 2016 përballë kandidates së ardhshme demokrate për presidente Hillary Clinton.


Shtuar 4.03.2023 22:52