Masakra në Tiranë mund të ishte parandaluar! Zbardhen vendimet që liruan nga burgu Dan Hutrën

Vrasja e 3 grave dhe plagosja e 3 të tjerave nga Dan Hutra në Tiranë mund të ishte parandaluar.

Pavarësisht precedentëve të 40 vjeçarit, i dënuar më parë për vrasjen me thike të bashkëshortes së tij, përdhunimin e kunatës dhe pengmarrjen e mamasë së kunatës, gjyqtari Hoxha u mjaftua që ai të kryente vetëm pak muaj burg për dhunimin e bashkëjetueses se tij Elena Hysa, të cilën e plagosi këtë të mërkurë në tentativë për ta vrarë.

“News24” ka siguruar 2 vendimet e gjyqtarit Gerrd Hoxha. Në të parin ai e dënoi Dan Hutrën vetëm me një vit burg, ndërsa në tjetrin e liroi përfundimisht.

Në vendimin e gjykatës, që mban datën 8 shkurt 2023, Dan Hutra është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg dhe do të vuante vetëm 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ky dënim i ulët në argumentimin e gjyqtarit Gerd Hoxha thuhet se është marrë për disa arsye.

Së pari, vepra është kryer me dashje nga i pandehuri, i shtyrë nga xhelozia, i pandehuri ka ndërmarrë veprime aktive, duke e kërcënuar (jo kanosur) me fjalë por, pa e goditur viktimën e pa i shkaktuar asaj dëmtime fizike; faktin se, i pandehuri e ka pranuar akuzën dhe ka shfaqur pendesë; faktin se Huta dhe viktima prisnin një fëmijë, ndaj të cilit i pandehuri ka detyrime themelore për rritje dhe edukim.

Gjithashtu sipas gjyqtarit, autori ka një nënë te moshës 74 vjeç, e cila vuan nga disa sëmundje dhe gjithashtu, kërkon kujdes shëndetësor të vazhdueshëm që mund të sigurohet nga i pandehuri.

Ndërkohë që në vendimin tjetër te firmosur nga gjyqtari hoxha, me 16 shkurt, firmoset shuarja e masës së sigurisë dhe lirimi i Dan Hutrës.

Kjo për shkak se më 16 shkurt bëheshin 8 muaj nga arrestimi dhe duke qenë se paraburgimi llogaritet 1.5 dite, atëherë 8 muaj paraburgim ishin ekuivalente me 12 muaj vuajtje dënimi.

Nëse do të ishte gjykuar siç e përcakton ligji nga gjykata e Durrësit, Dan Hurta ndoshta nuk do t’i kishte kryer këto krime dje.

Por para se te bëhej publik vendimi i shuarjes së masës së sigurisë për Dan Hutrën, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm publikoi me detaje se si ka rrëzuar kërkesën e avokatit të Hutrës për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në detyrim për paraqitje.

40-vjeçari ishte arrestuar dhe akuzuar për një vjedhje në qytetin e Durrësit, ndërkohë që prokurori kishte kërkuar për të masën ‘arrest me burg’. Pavarësisht këtij fakti, gjykata e Durrësit vendosi që ta lërë atë me ‘detyrim paraqitje’.

Ndërkaq nëse i referohemi procedurave ligjore që duhet të ndiqen në rastin e një personi me precedentë të tilla penale, që lirohet nga burgu, në këto raste duhet të mbikëqyren. Ka një strukturë të posaçme në Polici, ku policë të zonës duhet të mbikëqyrin personazhe të tilla, që konsiderohen problematikë. Por duket se në këtë rast, autori është lënë totalisht i lirë, duke zbatuar planet e tij që tha se i kishte menduar që në burg, ku qëndroi herën e fundit 8 muaj nën akuzën për dhunë në familje.


Shtuar 2.03.2023 14:06

Tags: