Putin: Moska duhet të marrë parasysh aftësitë bërthamore të NATO-s

Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia nuk ka zgjidhje tjetër veçse të marrë parasysh aftësitë bërthamore të NATO -s, ndërsa aleanca e udhëhequr nga SHBA kërkon humbjen e Rusisë, raportoi sot agjencia e lajmeve TASS.

“Në kushtet e sotme, kur të gjitha vendet e njohura të NATO-s kanë deklaruar se objektivi i tyre kryesor është të na shkaktojnë një disfatë strategjike, në mënyrë që njerëzit tanë të vuajnë, siç thonë ata, si mund të injorojmë aftësitë e tyre bërthamore në këto kushte”, tha Putin, sipas TASS.

Perëndimi, deklaroi Putin, dëshiron të asgjësojë Rusinë.

“Ata kanë një qëllim: të shpërbëjnë ish-Bashkimin Sovjetik dhe pjesën e tij themelore, Federatën Ruse”, tha Putin, sipas TASS.

Perëndimi, tha gjithashtu presidenti rus, është një bashkëpunëtor indirekt në “krimet” e kryera nga Ukraina.

“Ata po dërgojnë armë në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh në Ukrainë. Kjo është me të vërtetë pjesëmarrje”, tha Putin. “Kjo do të thotë se ata po marrin pjesë, edhe pse indirekt, në krimet e regjimit të Kievit.”/albeu.com


Shtuar 26.02.2023 10:15