Sfera misterioze në Japoni, zbulohet për çfarë përdoret

Një sferë që u shfaq në një plazh në Japoni dhe tërhoqi vëmendjen e banorëve lokalë, është hequr dhe është zbuluar se për çfarë shërben në të vërtetë, shkruan DailyMail.

Zyrtarët nga qyteti Hamamatsu kanë thënë se sfera do të jetë në ruajtje për një periudhë kohore, pas së cilës do të shkatërrohet.

Topi u gjet nga banorë të zonës të cilët lajmëruan policinë. Autoritetet mbyllën zonën përreth për të kryer një kontroll, madje edhe ekspertë të eksplozivëve dolën në terren dhe u bë një radiografi për të kontrolluar nëse ishte e sigurt.

Autoritetet lokale besojnë se bëhet fjalë për një sferë që është bërë jashtë shtetit, megjithatë, oqeanografi dhe profesori Mark Inall ofron një shpjegim konkret.

“Është e lehtë për ta njohur. Ne i përdorim ato për të mbajtur instrumente të ndryshme që notojnë në oqean. Ato shpesh hidhen nga deti në Skoci”, ka thënë Inall.

Ai është gjithashtu i habitur që japonezët nuk e kuptuan menjëherë se për çfarë bëhej fjalë.

“Dikush mund të mendojë se është një minë e Luftës së Dytë Botërore, por ato kishin thumba”, shtoi profesori.

Sipas tij, sfera të tilla mund të notojnë në oqeane për dekada dhe të mbeten pa shenjat e tyre përpara se deti t’i nxjerrë në breg.

Shfaqja e sferës theksoi nervozizmin në Japoni për situatën aktuale. Të hënën, Koreja e Veriut lëshoi ​​dy raketa balistike në Detin e Japonisë pas stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe aleatëve të saj aziatikë.

Balonat kineze të spiunazhit janë shfaqur mbi SHBA-në dhe Kanadanë, dhe qeveria japoneze ka thënë se ka pikasur të paktën tre objekte të paidentifikuara fluturuese në qiell ndërmjet viteve 2019 dhe 2021 dhe beson se ato janë kineze.

Pekini hedh poshtë akuzat për spiunazh dhe i bëri thirrje Tokios të ndalojë ndjekjen e ekzagjerimit të Uashingtonit./Albeu.com/


Shtuar 24.02.2023 12:56