Rriten sërish tensione mes Irzaelit dhe Palestinës, BE: Përdorimi i forcës është mjeti i fundit

Bashkimi Evropian ka dalë me një deklaratë pas bastisjes së të mërkurës në Nablus, duke thënë se është thellësisht e alarmuar nga dhuna në Bregun Perëndimor.

“Është me rëndësi të madhe që të gjitha palët të punojnë drejt rivendosjes së qetësisë dhe uljes së tensioneve për të shmangur humbjet e mëtejshme të jetëve”, thuhet në një deklaratë të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

“BE-ja shpreh keqardhjen për vdekjen e civilëve dhe rithekson se përdorimi i forcës duhet të jetë proporcional, në respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar, dhe të jetë vetëm si mjeti i fundit kur është rreptësisht e pashmangshme për të mbrojtur jetën”, thuhet më tej.

Izraeli ka nisur sulmet ajrore në veri të qytetit të Gazës pasi disa raketa u hodhën nga enklava e rrethuar palestineze pas një sulmi izraelit në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor që vrau 11 palestinezë.

Asnjë grup palestinez nuk ka marrë përgjegjësinë për raketat e lëshuara disa orë më parë nga Rripi i Gazës, të cilat shkaktuan sirena në qytetet izraelite të Sderot dhe Ashkelon. /albeu.com


Shtuar 23.02.2023 11:28