Pas dy tërmeteve shkatërruese që goditën Turqinë mëngjesin e 6 shkurtit, ditën e djeshme vendi u godit nga dy tërmete të tjera të fuqishme.
Sipas medieve turke 6 persona kanë humbur jetën ndërsa 680 të tjerë janë plagosur si pasojë e tërmeteve me magnitudë 6.4 dhe 5.8.
Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu tha: “Ka pasur një tërmet tjetër. Kemi marrë informacionin se 3 qytetarë humbën jetën, një në Antalia, një në Defne dhe një në Samandag. Operacionet e kërkim-shpëtimit po kryhen në 3 ndërtesat. Janë pranuar 42 raporte. 213 nga të lënduarit tanë janë dërguar në spitale. Me nxjerrjen e trupave të pajetë të 3 personave që ndodheshin nën rrënoja, humbjet e jetës u rritën në 6.”
Sipas informacioneve të marra nga AFAD, në orën 20:04 ka ndodhur një tërmet me magnitudë 6.4 ballë, epiqendra e të cilit ka qenë Hatay Defne. Thellësia e tërmetit është përcaktuar në 16.74 kilometra. Ndërkohë që tërmeti është ndjerë i fortë, qytetarët i ka zënë paniku.
Pas tërmetit 6.4 ballë, një tjetër tërmet me magnitudë 5.8 ka ndodhur këtë herë në rrethin Samandag të Hatay në orën 20:07. Thellësia e tërmetit 5.8 u përcaktua 7 kilometra. Ekipet po hetojnë nëse ka persona që janë nën rrënoja pas tërmetit të rëndë./Albeu.com/