UEFA ndan çmimet, Aursens, Rashford dhe Angel Garcia “më të mirët” e Evropës

Me përfundimin e ndeshjeve të para të kompeticioneve më të rëndësishmë për klubet e Evropës, Champions League, Europa League dhe Conference League, UEFA ka përcaktuar dhe lojtarët e javës për secilin kompeticion.

Lojtari i javës në Champions League është shpallur norvegjezi i mesfushës së Benfica, Fredrik Aursnes. Mesfushori i krahut të djathtë përshkroi plot 13.64 km gjatë ndeshjes kundër Club Brugge, që portugezët e fituan 0 me 2. Saktësia e driblimit në më shumë se 72% të rasteve dhe krijimet e rasteve të shumta të shënimit kanë bërë që 27-vjeçari të “triumfojë”, për çmimin individual përballë kundërshtarëve si talenti i Milan, Rafael Leao, anësori i Borussia Dortmund, Karim Adeyemi dhe francezi i Bayern Munich, Kingsley Coman.

Në Europa League, më i miri u shpall Marcus Rashford, me anglezin që shënoi 1 gol dhe ishte organizatori i aksionit që u finalizua me autogolin e “katalanasit” Jules Kounde. Në garë për çmimin e fituar nga anësori i “djajve” ishin Axel Disasi nga Monaco, anësori i Sevilla, Lucas Ocampos dhe mesfushori i Shakhtar Donetsk, Dmytro Krsyskiv.

Ndërkaq, çmimin në Conference League e fitoi mesfushori spanjoll i qipriotëve të AEK Larnaca, Angel Garcia, me 30-vjeçarin që shënoi golin e vetëm në përballjen kundra ukrainasve të Dnipro. I çuditshëm është fakti që spanjolli “mundi” në garën për “Lojtarin më të mirë të javës”, egjiptianin e Trabzonspor, Trezeguer, mesfushorin e Qarabag, Marko Jankoviç dhe sulmuesin e Fiorentinës, Luka Jovic, me këtë të fundit që shënoi dhe 1 dopietë në fitoren e thellë të “violave” përballë portugezëve të Braga./Albeu.com/.


Shtuar 17.02.2023 17:34

Tags: ,