Hakerët sulmuan sistemin e Fondit Shëndetësor, punonjësit mbetën pa paga

Erdhën të kërkojnë sqarime përse nuk u lëshuan pagat. Përfaqësues të Sindikatës së pavarur medicinale vendosën pankarta në dyert e Fondit për sigurim shëndetësor ngaqë kaloi dhe afati ligjor për tu dhënë pagat. Sulmi kibernetik në fond ka paralizuar jo vetëm pagat e 10 mijë të punësuarve në sektorin e shëndetësisë publike ne Maqedonine e Veriut, por edhe pacientët që duhet të marrin pajisje ortopedike dhe asnjë mbështetje tjetër që duhet verifikuar nga sistemi fondit.

Sigurimi nuk lejoi as mantel bardhët e as gazetarët të kenë qasje në institucionin publik për të marr informacione. Nga drejtoria ishin të mbyllur. Njëri në pushim ndërsa tjetra vrojtonte nga dritaret duke mos qenë transparentë përse nuk ka paga.

“Në sektorin shëndetësor kemi problem, paga jo e rregullt do të sjell shërbime jo cilësore. Së shpejti të punësuarit në shëndetësinë publike nuk do të mund të kenë sigurim shëndetësor. Paramendojeni, i punësuar në shëndetësi nuk mund të jetë për vete i siguruar, apo të kurohet. Duhet të paguaj privat për ti shlyer pagesat e shërbimeve shëndetësore që realisht në fond kanë paguar një herë përmes sigurimit”, tha Goran Ristevski, Kryetar i Sindikatës së pavarur medicinale.

Në këtë periudhë do ta pësojnë edhe pacientët. Përveç vjedhjes së të dhënave personale nga hakerët do të mbeten pa shërbime shëndetësore, nga që mjekët paralajmëruan grevë të përgjithshme.

 “Erdhëm të shprehim revoltën tonë sepse as bankat, ku duhet të paguajmë kreditë, as EVN, as DAP dhe askush tjetër nuk pyet pse nuk kemi para, duhet ti shlyejmë obligimet mujore. Nëse askush nuk ka të paguaj nga rroga neve na presin përmbaruesit dhe ky problem të eskajonë edhe më tepër”, deklaroi Aleksandar Kostevski, Anëtar i Sindikatës së pavarur medicinale.

Ministri i brendshëm Oliver Spasovski tha se të gjitha institucionet duhet të përforcojnë sistemet mbrojtëse sipas rekomandimeve, të cilat në këtë rast nuk janë respektuar nga Fondi shëndetësor. Ai potencoi se sektorit për krim kibernetik përpiqet të gjej kryerësit e sulmit, por institucionet duhet vet-parandalim.

“Kemi marr denoncimin në sektorin tonë për krim kibernetik, por duhet të kihet kujdes për vetëdijesim. Ne punojmë në hetimin se kush e bëri, por nëse nuk punojmë në parandalimin e mbrojtjes së të dhënave, se do të jetë vështirë të merremi vetëm me hetimin, sepse ajo veçse është bërë vepër penale. Shohim se këto sulme kibernetike u intensifikuan menjëherë pas agresionit rus mbi Ukrainën”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i punëve të brendshme.

Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor thonë se të punësuarve të tyre dhe të Ministrisë së Shëndetësisë iu kanë bashkangjitur ekspertë gjermanë të kibernetikës për të mënjanuar problemin ngaqë sulmi i hakërreve është bërë nga jashtë shtetit. Nga Fondi kumtojnë se janë në komunikim me institucionet publike shëndetësore për mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm për pagesën e pagave dhe pritet që deri të hënën të bëhet pagesa. Sipas tyre, pasi sistemi të vihet nën kontroll të plotë, do të paguhet pushimi mjekësor, pushimi i lehonisë, mëditjet dhe rimbursimi për pajisjet ortopedike. /Alsat.mk


Shtuar 16.02.2023 17:40