Gjykata e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë për Xherxh Laçin, i cili u arrestua vitin e shkuar pasi mbante familjen te ngujuar.
Pas ekspertizës mjekësore gjykata ka vendosur për Laçin masën mjekim i detyrueshëm në spital, pasi rezulton se me probleme dhe çrregullim të shëndetit mendor.
Kujtojmë se ai kishte ngujuar bashkëshorten e tij për 6 vite me radhë në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë. Elena Laçi ka dëshmuar në 6 muaj e fundit, ishte dhunuar sistematikisht që të mos dilte në asnjë moment nga pragu i shtëpisë.
Prej 5 vitesh, 50-vjeçari kishte ngujuar edhe dy fëmijët e tij, të cilët nuk i kishte lënë të vazhdonin gjimnazin pasi kishin përfunduar shkollën 9-vjeçare.
Vetë Laçi dilte nga shtëpia vetëm ditën e premte, pasi shkonte në xhami për t’u falur.
Nga kontrollet e zhvilluara, në banesë u gjetën dy thika, shkopinj druri dhe 700 fishekë të cilët i kishte groposur në oborrin e shtëpisë.
Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergji, nuk është krejtësisht emër i panjohur për policinë.
Ai është arrestuar në vitin 2013 pasi në të njëjtën zonë ku banon edhe sot qëlloi me breshëri kallashnikovi duke terrorizuar banorët përreth.