U tha se 70 shqiptarë janë në mesin e viktimave nga tërmetet në Turqi, reagon MPJD: S’ka asnjë shtetas nga Kosova

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se në mesin e viktimave nga tërmetet që goditën Turqinë, s’ka asnjë shtetas nga Kosova.

Evren Kaya, kryetar i Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve të Turqi bëri me dije sot sse 70 shqiptarë janë në mesin e të vdekurve nga tërmeti shkatërryues në Turëi.
Sakaq Ministria tha se bëhet fjalë për familje/persona, që kanë shtetësi turke, por janë me prejardhje të vjetër shqiptare.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, në vijim të komunikimeve me diasporën tonë në Turqi, përfshirë edhe me persona që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, ka kontaktuar dhe ka biseduar edhe me z. Kaya, gjatë javës së kaluar, i cili ka informuar se ai dhe familja e tij janë mirë dhe nuk kanë pësuar lëndime”, thuhet në njoftim.

Ministria ka bëre edhe përditësimin me informata për qytetarët e Kosovës që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti, të cilat mund t’i gjeni më poshtë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, është kontaktuar ditën e premte (10 shkurt) nga dy studente nga Kosova, të cilat kanë njoftuar se gjenden në qytetin Adana. Gjatë komunikimit me stafin e Ambasadës, studentet kanë konfirmuar se janë të vendosura në konviktin universitar dhe se janë mirë me shëndet. Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara po vazhdon komunikimin me të dy studentet dhe po shqyrton të gjitha mundësitë që të realizoj kthimin e tyre në Kosovë.

Me datë 13 shkurt, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është kontaktuar nga një familje nga Kosova që ka arritur të largohet nga qyteti Gaziantep në Ankara, dhe ka nevojë për fletë udhëtime për tu kthyer në Kosovë.

Në pasditen e së hënës(13 shkurt), pas komunikimit sërishëm me ambasadën, familja kanë deklaruar se do të vendosin brenda dy ditësh se a do të udhëtojnë për Kosovë dhe rrjedhimisht të vazhdohet me përgatitjen e fletudhëtimeve.

Në numrat emergjent të Ambasadës janë lajmëruar edhe qytetarë të tjerë të Kosovës, të cilët kanë dhënë informata se janë të sigurt dhe se nuk janë prekur nga tërmeti.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, si dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll, janë vënë në gjendje gatishmërie për t’u ofruar ndihmë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në zonat e goditura nga tërmeti.

Të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti, të cilët kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë:
Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91

/Express/