Mbi pesë mijë qytetarë nga Kosova heqin dorë nga nënshtetësia

Mbi 5 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare vetëm në vitin 2019 për të zgjedhur një nga shtetet e Bashkimit Evropian, të cilët nuk e lejojnë dyshtetësinë.

Heqja dorë nga nënshtetësia e Kosovës ka shënuar shifra të mëdha në vitet e fundit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës nënshtetësitë që marrin më së shumti qytetarët e Kosovës janë nënshtetësia gjermane, austriake, sllovene, kroate etj. Qytetarët, të cilët kanë ndërruar nënshtetësinë e tyre nuk ndihen të kënaqur me vendimin që kanë marrë, edhe pse këtë gjë e kanë bërë për një të ardhme më të mirë për familjet dhe fëmijët e tyre.

Të detyruar për heqjen e nënshtetësisë

Fatime Reçica, e cila jeton tash e 20 vjet në Gjermani së bashku me burrin dhe tre fëmijët e saj, është detyruar të heqë dorë nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës, vetëm që fëmijët e saj të kenë kushte të barabarta në shtetin ku po qëndrojnë. Ajo thotë, se ka qenë një prej vendimeve më të vështira në jetën e saj, por nuk kishte rrugë tjetër.

“Ka qenë vendim shumë i vështirë së bashku me vendimin, kur kam vendosur që ta lë Kosovën. Ne mezi e kemi bërë shtetin tonë e tash po detyrohemi që të heqim dorë edhe nga e drejta për të qenë pjesë ligjore e atij shteti”, thotë Reçica.

Por ajo e pranon, se pranimi i nënshtetësisë gjermane ka përparësitë e veta.

“Realisht, gjithçka është më e lehtë edhe për ne, por kryesisht për fëmijët, që jetojnë këtu, të pajisemi me dokumente gjermane. Por, që kjo nuk do të thotë se do ta harroj Kosovën. Normalisht, në Kosovë do të vazhdojmë të vijmë si zakonisht .Është paksa e padrejtë që Gjermania nuk e lejon dyshtetësinë, pasi që kështu na ka shtyrë të bëjmë një zgjedhje të vështirë. Por, Kosovën nuk do ta lëmë asnjëherë”, ka thënë ajo.

Të njëjtin vendim e ka marrë edhe Gentiana Krasniqi, e cila ka lindur në Prishtinë dhe që nga mosha 4 vjeçare jeton në Gjermani. Edhe ajo vendimin për heqjen dorë nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës e ka marrë vetëm, sepse shteti gjerman nuk e lejon mbajtjen e dy nënshtetësive.

“Edhe pse jam rritur dhe shkolluar në Gjermani, unë jam bërë shumë vonë shtetase gjermane, edhe pse kushtet bazike nga ana e Republikës së Gjermanisë i kam plotësuar që moti. Gjermania nuk lejon posedimin e dy nënshtetësive, prandaj kam hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës. Arsyeja kryesore pse i kam hyrë procedurës për nënshtetësi gjermane aq vonë ishte arsyeja se në landin e Bavarisë, ku jetoj unë, kërkohet që të jepet dorëheqje edhe nga nënshtetësia serbe dhe nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës, pra dy shtetësi, edhe pse unë kurrë nuk kam pasur pasaportë serbe timen”, ka thënë Krasniqi.

Ajo thotë se jo vetëm lënia e nënshtetësisë kosovare e brengos, por edhe largimi i kaq shumë të rinjve nga Kosova.

“Më brengos dhe më dhemb ky fakt qoftë vetëm për udhëtime apo për të emigruar në një vend tjetër. Por, e kuptoj çdo individ, i cili vepron kështu. Kështu që duhet të respektohet çdo vendim, sepse askush nuk e jep një ‘copë’ të identitetit për qejf. Posaçërisht ata, të cilët kanë fëmijë, e duan një ardhmëri të shëndoshë për familjet e tyre. Nuk po them se jashtë Kosovës dhe në BE është çdo gjë më e mirë, por secili duhet t’i ketë të drejtat e njëjta, të mbledhin përvojat e tyre dhe pastaj të bëjnë vlerësime”, shprehet Krasniqi.

Alarm i sociologëve

Ndërkohë që analistët dhe sociologët vlerësojnë këtë situatë në Kosovë si alarmante. I shqetësuar me numrin e madh të dorëheqjeve të nënshtetësisë është shprehur edhe profesori dhe analisti, Nexhmedin Spahiu.

“Braktisja e nënshtetësisë së Kosovës është pasojë e moskultivimit të atdhedashurisë në dy dekadat e fundit, rezultati i një sistemi arsimor tërësisht të dështuar”, thotë Spahiu.

Sipas tij, edhe një jetë kulturore me vlera të përmbysura dhe kthimi i korrupsionit si metodë jetese kanë luajtur rolin e tyre.

“Në kohën e pasluftës, tri ministritë e para që iu lanë në dorë vendorëve, ishin arsimi, kultura e shëndetësia. Si duket ky ishte një hap i parakohshëm, kur ne ishim ende të papjekur si shoqëri, si komb. Pastaj privatizimi ndodhi po ashtu herët, kur shoqëria kosovare ishte e papërgatitur për këtë hap. Të gjitha këto bënë që niveli i patriotizmit në Kosovë të jetë shumë i ulët”, shprehet ai.

Sipas të dhënave të studimit të rinisë të vitit 2019 të bërë nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung afërsisht 40 për qind e shqiptarëve të Kosovës dëshirojnë të migrojnë për një periudhë të shkurtër kohe prej më pak se pesë vjet. Arsyet ekonomike përmenden si arsyeja kryesore për migrim nga rreth 63 për qind e atyre që dëshirojnë të lënë Kosovën për të shkuar në një vend tjetër.

Zvicra dhe Gjermania janë vendet më të preferuara për migrim nga kosovarët, ato janë më të preferuarat në 49 për qind të rasteve. Në 49 për qind të rasteve. Sociologët vlerësojnë se nëse vazhdon ky ritëm i heqjes dorë nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës nga qytetarët kosovarë, shteti do të ketë probleme të mëdha.

Profesori dhe sociologu Fadil Maloku shprehet se në Kosovë dhe rajon po “shpërngulet truri” i shtetit. “Nëse vazhdon ky trend i “ikjes” apo edhe largimit të detyrueshëm të rinisë kosovare nga nënshtetësia edhe ashtu ende infantile të Kosovës, padyshim qe pasojat do jenë alarmuese. Në gjithë botën është një lloj recesioni, në rajon po ashtu dhe unë mendoj se Qeveria e Kosovës do të duhej të merrte disa masa preventive, që në njëfarë mënyre ta zbuste pakënaqësinë e kësaj ikjeje kaq masive të rinise kosovare nga vendi i tyre”, shprehet Maloku.

Marrja e nënshtetësisë shqiptare dhe asaj serbe

Mosliberalizimi i vizave, pamundësia për të parë shtetet e zhvilluara, shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë kanë bërë që qytetarët kosovarë të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar lirshëm. Disa prej tyre kanë vendosur që krahas nënshtetësisë kosovare ta kenë edhe nënshtetësinë serbe në të njëjtën kohë në mënyrë që të lëvizin lirshëm.

Leutrim Bajrami nga Prishtina ka tre vite që ka dy nënshtetësi atë të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë.

“Unë kam nënshtetësi serbe që tre vite nga shteti i Serbisë, sepse gruaja ime është nga Bujanovci, një qytet i populluar me shqiptarë në shtetin serb, dhe pasi që kurorëzimi im është bërë në Serbi dhe lindja e fëmiut tim po ashtu, atëherë mua më është dhënë e drejta t’i bashkohem familjes time atje. Pasaportën e Serbisë e shfrytëzoj kryesisht për udhëtime, por ka edhe shumë lehtësira të tjera si qasja në mjekësi dhe spitalet serbe, pasi që kam pasur probleme me shëndet, është shumë e lehtë, e shpejtë dhe më profesionale se në Republikën e Kosovës”, shprehet Bajrami.

Krahas qytetarëve kosovarë, të cilët kanë vendosur të kenë në të njëjtë kohë pasaportën kosovare dhe pasaportën e ndonjë shteti tjetër fqinj, janë edhe politikanë e artistë shqiptarë nga Kosova, të cilët janë të pajisur me pasaportën e Shqipërisë. Era Istrefi, Majlinda Kelmendi, Edita Tahiri e të tjerë janë vetëm disa nga emrat e personaliteteve të njohur në Kosovë që posedojnë pasaportë të shtetit shqiptar.

Sociologu Maloku e sheh me sy kritik këtë. Pajisjen e politikanëve kosovarë me pasaporta të shtetit shqiptar dhe rekomandimi i tyre për qytetarët e Kosovës që nuk mund të lëvizin lirshëm që mos ta lëshojnë Kosovën ai e sheh si degradim dhe një pasqyrë shumë e keqe për qytetarët e vendit.

“Ky është një degradim dhe një pasqyrë e keqe për qytetarët e vendit. Në mënyrë që ata të kuptojnë se kush në fakt e udhëheq këtë shoqëri të vonuar edhe ashtu në krahasim me shoqëritë e rajonit dhe ato të kontinentit. Shoqëritë shqiptare andej e këndej kufirit janë në krizë: morale, sociale, politike, e sidomos ekonomike e kulturore. Një fenomen, që pa dyshim është duke e përcjellë këmba-këmbës procesin e shtetndërtimit të Kosovës, është edhe ai i teprisë së politizimit apo tendencës së ‘ngjyrimit’, të çdo gjëje që prodhoi në ndërkohë jeta sociale dhe ajo politike në ‘betejat’ e konsolidimit të institucioneve shtetërore dhe ridefinimit të kauzave reja demokratike”, përfundon Maloku. /Deutsche Welle/


Shtuar 28.01.2020 08:16