Pas rrëzimit, SHBA përpiqet të mbledhë informacion për balonën spiune kineze (VIDEO)

Pentagoni po kryen punën e nevojshme për të mbledhur infomacione në lidhje me balonën e spiunazhit kinez që u rrëzua të shtunën në brigjet e Karolinës së Jugut nga një avion luftarak ushtarak amerikan, tha Departamenti i Mbrojtjes.

 

Si pjesë e misionit, disa anije të Marinës dhe Gardës Bregdetare të SHBA -së ngritën një perimetër sigurie rreth zonës në Oqeanin Atlantik, rreth gjashtë milje nga bregu ku balona u rrëzua, thanë zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes.

Varkat kërkojnë dhe mbledhin çdo mbeturinë që lidhet me balonën.

Për shkak se balona ra në një zonë relativisht të cekët, që ka një thellësi të vlerësuar prej 14 metrash, misioni i rikuperimit pritet të jetë ” mjaft i lehtë”, tha një zyrtar. Megjithatë, ai shtoi se nuk ka asnjë vlerësim për kohëzgjatjen e misionit.

Zyrtarët e Pentagonit shtuan se rikuperimi i balonës do t’u jepte hetuesve ushtarakë “një mundësi të rrallë për të ekzaminuar pajisjet e ndjeshme të mbikëqyrjes kineze.”

Ata vunë në dukje gjithashtu se SHBA-ja kishte ndërmarrë hapa për të mbledhur të dhëna nga balona ndërsa fluturonte në të gjithë vendin.


Shtuar 5.02.2023 07:31