Shteti “harron” nënën 114-vjeçare nga Kuçova, i ndalon pensionin, e moshuara: Ngopet lumi me ujë që të ngopet robi me jetë

Qamile Marra, një nënë 114 vjeç nga fshati Ferras i Kuçovës ka plot një vit që nuk merr pension nga shteti. I biri i saj, Hysen Marra thotë se që prej muajit janar 2023, nëna e tij nuk e ka marrë dot pensionin mujor prej 7700 lekësh sepse shteti e ka konsideruar të vdekur.

Ndalimi i dhënies së pensionit pëë nënën 114-vjeçare ka ndodhur për shkak se familjarët e të moshuarës nuk kanë deklaruar në zyrat e Gjendjes Civile Kuçovë se Qamile Marra është gjallë.

Familjarët duhet të deklarojnë në zyrat e Gjendjes Civile Kuçovë nëse është gjallë apo jo nëna e tyre çdo fillim viti.

Këtë gjë ata nuk e kanë ditur ndaj nuk u ka ardhur pagesa e pensionit. Edhe nusja e djalit, Rrahime Marra, tregon se vjehrra e saj nuk e ka marrë pensionin sepse i kanë thënë që ka kaluar moshën dhe se duhen dokumente për ta vërtetuar nëse e moshuara jeton ende.

“Jam nusja e Qamiles. Vajtëm për të marrë pensionin këtë muaj, në Janar. Shpërblimin e morëm, pensionin nuk e morëm. Vajti burri për t’u ankuar atje se duhet një certifikatë. I gjetëm dhe i çuam. Vajtëm pastaj dhe na thanë ka mbushur moshën. Ç’qenka kjo, paska mbushur moshën dhe mos të rronka më. I ka ditët e Perëndisë. Ia ka dhuruar Zoti. Aq sa merr, 70, ne nuk i kërkojmë lekë shtetit. Nuk do ta hedh në rrugë unë plakën. Të tre pensionista jemi. Ka kaluar moshën, është 114 vjeçe. Le të jetë edhe 200 ajo ka ditët e veta”, tha nusja.

Por çfarë bën gjithë ditën e moshuara?

“Kur ngrihen të gjithë ngrihem dhe unë, por në vapë nuk fle. Në mëngjes ngrihem, bëj ato punë që më takojnë. Shikoj ato pula, ata zogj. Por kështu bukë e gjellë i kam lënë, bëj dy vjet. Dua, por nuk kam fuqi. Edhe është nusja vetë në shtëpi”, tha ajo.

Edhe pse është 114 vjeçe, Qamile Marra uron për një jetë edhe më të gjatë. Ajo thotë se nuk ngopet me jetën njësoj si lumi me ujin.

“Ngopet lumi me ujë që të ngopet robi me jetë? Ai thotë të shoh dhe një çikë, të shoh dhe një çikë. Nuk ngopem me jetë”, tha ajo.

114-vjeçarja Qamil Marra është në gjendje të mirë shëndetësore dhe thotë se nuk vuan nga asnjë sëmundje. Ajo ka 6 fëmije, 4 vajza dhe 2 djem, ku vajza e madhe është 85 vjeçe. E moshuara tregoi se ka punuar 35 vjet në kooperativë bujqësore dhe për këtë merr një pension prej 7700 Lekësh. Ushqehet me bylmet dhe madje bën punët e shtëpisë dhe i lan vetë rrobat e saj. 114-vjeçarja jeton bashkë me djalin e saj të vogël, 76 vjeç dhe nusen 68 vjeçe./albeu.com/