Ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Angela Price Ageler tha sot nga Gostivari se duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese që vendi të ecë përpara.
Sipas saj, deputetët duhet të votojnë për progres.
“E di që është e vështirë, por duhet të miratohen amendamentet kushtetuese, që e di që nuk është tamam një hap i dëshirueshëm dhe popullor, por është i domosdoshëm për një hap përpara. Deputetët duhet të votojnë ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që vendi të ecë përpara me diskutimet dhe procesin për integrim dhe anëtarësim në BE. Sipas mendimit tim, është thelbësore, sepse aty qëndron e ardhmja e suksesshme e këtij vendi”, tha Ageler, duke iu përgjigjur pyetjeve në panelin e diskutimit “Të flasim për sfidat dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut” të mbajtur në Qendrën Rinore Komunitare (QKB).
Ambasadorja theksoi se është e njohur me qëndrimet partiake të deputetëve, se ata kanë votues dhe se janë përgjegjës ndaj tyre, por ajo beson se “kjo është në interesin më të mirë të Maqedonisë së Veriut”.
“Dhe për këtë, për momentin është sfidë, besoj se nëse merret ai vendim dhe deputetët duhet të votojnë që të ketë përparim”, theksoi Ageler, duke shtuar se vendimi i vështirë tani është që të bëhet zgjedhja e nevojshme që vendi të ecë drejt BE-së./ina