Si ndodhi vrasja e të riut Armend Xhika në Britani, autorët e ndoqën për t’u sqaruar, e sulmuan me thikë deri në vdekje

Gjykata britanike ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen e 22-vjeçarit shqiptar Armend Xhika, i cili u vra me thikë më 13 maj të viti 2021.

Sipas gjykatës, 22-vjeçari fatkeq u ndoq nga autorët dhe u sulmua me thikë deri në vdekje për një mosmarrëveshje për një aksident rrugor në të cilin ishin përfshirë më parë.

BBC shkruan se Armend Xhika u godit me thikë në mënyrë të përsëritur në rrugën në Burngreave, Sheffield.

Mentor Selmani, 28 vjeç, Marsid Senia, 25 vjeç dhe Mardov Dushku, 30 vjeç, janë autorët e vrasjes së 22-vjeçarit. Ata akuzohen për plagosjen me qëllim për të shkaktuar lëndime të rënda trupore gjatë sulmit të 13 majit 2021. Po ashtu, dhe dy persona të tjerë të përfshirë në ngjarje vijojnë të jenë në arrati.

Prokurori i çështjes Sam Green, duke hapur gjyqin të martën, i tha gjykatës se dhuna “e paligjshme dhe përfundimisht fatale” shpërtheu pasi dy grupet u takuan në rrugë “Earl Marshal”.

E gjithë ngjarja thuhet se nisi për një sqarim në mbrëmjen e 13 majit për të zgjidhur një mosmarrëveshje lidhur me një aksident ku ishte përfshirë dhe mjeti që drejtohej nga Xhika. Makina tip “Vauxhall Insignia” e 22-vjeçarit shqiptar thuhet se ishte përplasur me një “Audi” në Rotherham po atë ditë, por disa orë më herët./albeu.com/