Shqipëria e para në Evropë për abortin me bazë gjinore

Në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit të luftës me bazë gjinore një prej tematikave shqetësuese në vendin tonë është edhe aborti selektiv, praktika e ndërprerjes së një shtatzënie për shkak të gjinisë së bebes. Ndaj edhe aktiviteti i orginizuar kundër këtij fenomeni titullohej “tjetër herë më vajzë”.

“Shqipëria renditet në vendet e para në botë përsa i takon dizbalancës në lindje dhe aktualisht ne jemi të 11 në këtë rang. Nuk është krenari ta thuash. Numërohen rreth 109 lindje djemsh në krahësim me 100 lindje vajzash, është një devijim nga statistikat normale, ku numri i të lindurve djem mund të jetë në kuadrin 104, 105”, ka thënë Manuela Bello.
Sipas organizatave të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ky fenomen 2 apo 3 dekada më parë hasej më shumë në zonat rurale por tashmë një mentalitet i tillë është edhe në kryeqytet.

“Tendenca për të patur një fëmijë mashkull, është një tendencë e gjeneralizuar. Nuk lidhet me nivelin e familjeve që nuk kanë të ardhura, por është një fenomen i përhapur edhe në familjet tona. Çiftet e reja, sidomos ata që duan të kenë vetëm një fëmijë, dhe ata preferojnë që këtë fëmijë të vetëm ta kenë mashkull. Akoma në shoqërinë shqiptare vlerësohet padrejtësisht më shumë roli i mashkullit qoftë nga pikëpamja e lënies së mbiemrit, lënies së pasurisë sesa roli i femrave”, ka thënë Bello.

Aborti me bazë gjinore është i përhapur jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kjo dukuri krijon një zinxhir pabarazie gjinore, që prek çdo sferë të shoqërisë./ TVKlan


Shtuar 7.12.2022 16:50