Në balotazh me Alimehmetin, Këlliçi: Kur vjen radha për të folur, unë zgjedh të flas me votë

Kandidati për primare Belind Këlliçi, i cili mori 4040 vota në Tiranë, ka reaguar pas shkuarjes në balotazh me kandidatin Ilir Alimehmeti, i cili ka marrë 2196 vota.

Ndërsa të dy do përballen më 11 dhjetor për t’u përcaktuar se kush do të jetë kandidati i PD-së përballë Erion Veliajt në zgjedhjet lokale, ka reaguar Këlliçi, ku shpreh falënderime për ata që e votuan dhe premton se do të punojë orë pas ore për çdo votë demokrati, për t’i përfaqësuar me nder në përballjen e madhe të 14 majit.

“Kur vjen radha për të folur, unë zgjedh të flas me votë. Ky është karakteri im. Rezultati e tregon më mirë se fjalët e mia”, ka shkruar ndër të tjera në postim ai.

Postimi i plotë:

Po e nis me një falenderim.

Faleminderit juve, që me shiun litar dhe në një ditë pushimi me familjen, dedikuat kohën tuaj për Primaret e Tiranës!

Për thuajse një muaj, dyert tuaja ka qenë hapur për ne kandidatët. Për të na dëgjuar çdo fjalë, edhe kur emocionet nuk na kanë lejuar të shprehemi më mirë.

Personalisht jam përpjekur të gjej kohë për të takuar çdokënd, sepse për të fituar duhet të dëgjosh.

Kur vjen radha për të folur, unë zgjedh të flas me votë. Ky është karakteri im. Rezultati e tregon më mirë se fjalët e mia.

Gara kërkonte që në 7 kandidatë, një prej tyre të merrte më shumë se gjysma e totalit të votave. Me mbështetjen tuaj arrita në 48%. Ky është një mesazh inkurajues për të mos e ndalur punën. Do të shkojmë në raundin e dytë, për të bindur çdo demokrat se ky proces është garancia më e madhe që opozita të ketë kandidatin e saj më të fortë në betejën e Majit.

Do të punoj orë pas ore për çdo votë demokrati, për t’ju përfaqësuar me nder në përballjen e madhe të 14 majit.

Ju falenderoj për të gjithë mbështetjen tuaj të pakursyer! E di se nuk mjaftojnë fjalët, prandaj do të flas sërish me votë, më 11 dhjetor.

Faleminderit që më vlerësuat!

Primare të papara! Energji e jashtëzakonshme demokratësh! Respekt për të gjithë, sidomos për të 6 kandidatët e tjerë në këtë proces! Jemi bashkë.

Demokratë e simpatizantë, vazhdojmë sëbashku ♥️✌?


Shtuar 5.12.2022 11:29