Çmimi i naftës së papërpunuar në bursat botërore arriti këtë të enjte, në kuotat më të ulëta që pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë. Një fuçi naftë arriti në rreth 77.8 Dollarë për fuçi në bursën e Teksasit dhe në 84.9 në atë të Londrës, çmim shitjeje me të cilin ofrohet për kontratat e blerjes për muajin Dhjetor.
Rënia e çmimit erdhi pasi administrata amerikane njoftoi se nga 18 Nëntori, e deri më sot ka ulur sasinë e naftës javore që magazinon për rezervat kombëtare në 3.8 milionë fuçi. Javën pararendëse, administrata shtoi në rezerva 5.4 milionë fuçi nafte të papërpunuar.
Megjithatë, tregjet vijojnë të jenë të shqetësuara pasi Moska paralajmëroi po këtë të enjte se do të ndërpresë plotësisht furnizimin me naftë dhe për vendet që vendosin çmim tavan për furnizimin nga Rusia. Vendet e Bashkimit Europian ranë dakord parimisht në Tetor, që naftën ruse ta blejnë me jo më shumë se 70 Dollarë për fuçi, por nuk gjetën një marrëveshje për gazin pas kundërshtimit të Gjermanisë. Në të njëjtën linjë po ecin edhe vendet e G7-ës.